Turqia mirëpret anëtarësimin e Maqedonisë në NATO
"Anëtarësimi i plotë i Maqedonisë së Veriut në NATO është një hap i rëndësishëm drejt garantimit të stabilitetit të qëndrueshëm dhe sigurisë në Ballkan", tha Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë
Turqia ka mirëpritur anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO si vend anëtar i 30-të i Aleancës. "Anëtarësimi i plotë i Maqedonisë së Veriut në NATO është një hap i rëndësishëm drejt garantimit të stabilitetit të qëndrueshëm dhe sigurisë në Ballkan. Po ashtu është një hap i rëndësishëm përpara në rritjen e aftësive të NATO-s për të mbrojtur vlerat universale", tha Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë në një deklaratë. Ministria turke po ashtu shprehu bindje se "lidhjet miqësore me rrënjë të thella dhe bashkëpunuimi midis Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut do të forcohen më tej me lidhjet e Aleancës". Aleanca Veri-Atlantike (NATO) informon se zyrtarisht Maqedonia e Veriut është bërë anëtarja e 30-të, pas depozitimit të instrumentit të anëtarësimit në Departamentin Amerikan të Shtetit në Ëashington. Përmes një njoftimi, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, thotë se tashmë Maqedonia e Veriut është pjesë e familjes së NATO-s. “Familja është e bazuar në atë se pavarësisht sfidave, ne bashkë jemi në të fuqishëm dhe më të sigurt”, thekson Stoltenberg. Në njoftim theksohet se ceremonia për ngritjen e flamurit të Maqedonisë së Veriut do të bëhet më 30 mars të këtij viti, në prezencë të Stoltenbergut dhe përfaqësuesve tjerë. Ndryshe, protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO e ratifikuan të gjithë 29 shtetet, ndërsa e fundit e bëri Spanja. Autoritetet maqedonase presin që Spanja ta ratifikojë protokollin në muajin mars. Vendimi për ratifikimin para kohe të protokollit nga Maqedonia e Veriut është marrë për shkak se kuvendi do të shpërndahet më së voni deri më 16 shkurt, meqë më 12 prill të këtij viti do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Pas miratimit të protokollit, flamuri i NATO-s është ngritur para ndërtesës së kuvendit në Shkup. Zhbllokimi i procesit të integrimit euroatlantik erdhi pas ardhjes në pushtet të LSDM-së që drejtohet nga ish-kryeministri, Zoran Zaev, i cili zgjidhi kontestin për emrin me Greqinë. Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se anëtarësimi në NATO nuk do të ishte i mundur pa ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur viteve të fundit, si raportet e mira me fqinjët dhe marrëveshja me Greqinë, pa të cilat, sipas tij, nuk mund të paramendohej arritja e këtij momenti, ratifikimi i protokollit për anëtarësim në NATO. “Anëtarësimi në NATO, privilegj dhe obligim është rrumbullaksim i shtetësisë dhe sovranitetit të shtetit”, ka deklaruar Pendarovski. Në një paraqitje para opinionit, Zaev ratifikimin e protokollit e vlerësoi si arritjen më të madhe të vendit pas pavarësisë nga ish-shteti komunist i Jugosllavisë. “I gjithë populli ynë, të gjithë qytetarët tanë, janë krenar për këtë sukses tonin. Maqedonia e Veriut anëtarja e 30-të e NATO-s. Të gjitha ne, maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, romë, vllahë, boshnjakë jemi pjesë e Aleancës më të fuqishme në botë. Pas shumë dekadave pasiguri, bllokada, regjim, izolim, përfundimisht i hapëm rrugën anëtarësimit në NATO. Ne ishim të vendosur të zgjidhim problemet dhe jo t’i fshehim ato, dhe në fund ia arritëm për të mirën e të gjithë qytetarëve”, ka deklaruar Zaev.