Vdesin 2 punonjës të KFOR-it nga Covid-19
KFOR-i përmes një kumtese për media ka konfirmuar se disa nga pjesëtarët e personelit janë testuar pozitivë me coronavirus dhe dy punëtorë civilë kanë vdekur.
Gjeneralmajori Michele Risi, në këtë kumtesë thekson se janë të përkushtuar për të parandaluar përhapjen e coronvirusit Covid-19. Në njoftim, thuhet se cilido ushtar i KFOR-it që tregon shenja të infektimit nga COVID-19 apo ka pasur kontakte me dikë të infektuar, vendoset në karantinë. “Nëse ushtarët e KFOR infektohen, ata trajtohen në hapësirat mjekësore në bazat e KFOR-it dhe futen në karantinë për të zvogëluar ekspozimin, përpara se të evakuohen”, thuhet në kumtesën për media të KFOR-it. Forca e Kosovës e udhëhequr nga NATO-ja, thotë se po vazhdon në mënyrë të rregullt misionin e saj të mandatuar nga Kombet e Bashkuara për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt si dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur ushtarët e saj, partnerët dhe popullsinë e Kosovës. “Në javët e fundit, njësitë e KFOR-it kanë kryer patrullime, aktivitete ndërlidhëse dhe monitoruese si dhe kanë mbështetur institucionet dhe komunitetet lokale, përmes dhurimit të pajisjeve mbrojtëse personale dhe dërgimit të ushqimit dhe rrobave për familjet në nevojë, në koordinim me Kryqin e Kuq në Kosovë. Si reagues i parë i sigurisë, KFOR-i i ofron mbrojtje Manastirit të Deçanit, vend i rëndësisë së madhe fetare ortodokse dhe kulturore”, theksohet në njoftim. KFOR-i, tutje thotë se mbetet vigjilent dhe vazhdon të monitorojë dhe vlerësojë situatën në koordinim të ngushtë me Institucionet në Kosovë dhe Ministrinë e Shëndetësisë në veçanti, si dhe me Organizatat e Sigurisë dhe Komunitetin Ndërkombëtar.