Shqipëria me rënie 9%, vendi me tkurrjen më të madhe në rajon
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i97016-shqipëria_me_rënie_9_vendi_me_tkurrjen_më_të_madhe_në_rajon
Pasojat e pandemisë së coronavirusit në Shqipëri do të reflektojnë ndjeshëm në ekonominë e vendit.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
May 13, 2020 17:27 Europe/Tirane
  • Shqipëria me rënie 9%, vendi me tkurrjen më të madhe në rajon

Pasojat e pandemisë së coronavirusit në Shqipëri do të reflektojnë ndjeshëm në ekonominë e vendit.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim parashikon që Shqipëria të pësojë tkurrjen më të madhe ekonomike, me një zbritje prej 9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, më e thella në rajon dhe në gjithë vendet në zhvillim të cilat janë pjesë e BERZH. Sipas raportit të publikuar këtë të mërkurë, “Perspektiva Ekonomike Rajonale në rajonet e BERZH”, ekonomia shqiptare do të preket ndjeshëm nga epidemia si pasojë e varësisë së saj së lartë nga turizmi dhe fasoneria. Një reduktim i pritshëm i dërgesave nga emigrantët do të ndikojë gjithashtu në rënie. Raporti thekson se “rimëkëmbja do të varet nga lehtësimi gradual i masave në vend për ndalimin e përhapjes së virusit dhe kthimi në normalitet në gjysmën e dytë të vitit”. Pas kësaj faze, BERZH parashikon se ekonomia e vendit mund të rimëkëmbet duke u rritur me 12 për qind vitin e ardhshëm. Ndërsa nga vendet e rajonit, pas Shqipërisë, tkurrjen më të lartë në ekonomi do ta ketë Mali i Zi, me një zbritje deri në 8%, e ndjekur nga Kosova me 5%,, Bosnje-Hercegovina me 4.5. Vendet e rajonit që do t’i kalojnë më lehtë pasojat e coronavirusit në ekonomi janë Maqedonia e Veriut dhe Serbia.