Kurti kundërshton Lajcakun
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i97495-kurti_kundërshton_lajcakun
Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, ka hedhur poshtë kërkesën e emisarit special të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, për heqjen e masave të reja të reciprocitetit ndaj Serbisë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
May 31, 2020 16:54 Europe/Tirane
  • Kurti kundërshton Lajcakun

Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, ka hedhur poshtë kërkesën e emisarit special të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, për heqjen e masave të reja të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Lajçak ka kërkuar nga Kurti largimin urgjent të masave të reja të reciprocitetit, të vendosura mbrëmë nga Qeveria në detyrë e Kosovës. Kurti në një postim në Twitter ka shkruar se refuzimi i parimit të reciprocitetit në Republikën e Kosovës është mohim i ushtrimit të të drejtave të tij sovrane. “Refuzimi i parimit të reciprocitetit në Republikën e Kosovës është të mohosh ushtrimin e të drejtave të tij sovrane. Kosova dëshiron marrëdhënie të drejta dhe reciproke me fqinjët e saj. Dialogu është midis dy të barabartëve dhe Serbia duhet ta shohë Kosovën si të barabartë në çdo tryezë”, ka shkruar Kurti. Në fund të muajit shkurt, Kurti ka njoftuar heqjen graduale të tarifës 100% dhe zbatimin gradual të parimit të reciprocitetit me Serbinë. “Që atëherë, Qeveria prezantoi masa të reciprocitetit me Serbinë – të gjitha si përgjigje ndaj një gamë të gjerë të barrierave jo tarifore që Serbia ka kundër #Kosova. Kur do të identifikohen pengesat e mëtejshme, do të zbatohen masa të mëtejshme të reciprocitetit”, ka thënë Kurti.