Qershor 17, 2024 09:51 Europe/Tirane
  • Zjarr masiv pranë qytetit Los Angeles/Evakuohen 1200 banorë

Departamenti i Pyjeve dhe Mbrojtjes nga Zjarri i shtetit të Kalifornisë njoftoi përmes një deklarate se një zjarr masiv që shpërtheu në veriperëndim të qytetit Los Angeles ka shkaktuar evakuimin e 1200 banorëve të kësaj zone.

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, ky zjarr, i cili filloi në orën 13:45 të së shtunës (me orën lokale), vazhdon ende dhe deri më tani ka shkrumbuar më shumë se 12000 hektarë tokë të këtij shteti pranë një autostrade kryesore, 100 kilometra në veriperëndim të qytetit Los Angeles, si dhe kërcënoi ndërtesat aty pranë.

Forcat e Parkut Shtetëror të Kalifornisë kanë evakuuar deri më tani 1200 njerëz nga kjo zonë dhe qendrat e rekreacionit aty pranë janë mbyllur për shkak të kërcënimit të zjarrit.

Sipas njoftimit të Departamentit të Zjarrfikësve në Los Angeles, nga ora 20:00 e së shtunës mbrëma (me orën lokale), era e fortë ka bërë që zjarri të përhapet me shpejtësi edhe në zonat përreth dhe ka shkaktuar probleme në kontrollin e këtij zjarri. Shkaku i zjarrit ende nuk është përcaktuar.

 

Tags