Betejat me simbol kryqin (1)
(last modified Sun, 25 Aug 2024 15:48:44 GMT )
Gusht 25, 2024 17:48 Europe/Tirane
  • Betejat me simbol kryqin (1)

Periudha historike për të cilën do të flasim, është periudha pas në shekullin e 11 të erës së re. Domethënë vitet kur shumë luftëra shpërthyen me sulmin e evropianëve kundër myslimanëve dhe që vazhduan për rreth dy shekuj. Këto beteja u bënë të njohura si “Kryqëzata” sepse ushtarët e krishterë, me urdhër të Papa Urbanit II, qepën kryqin në shpatullën e djathtë të veshjes ose uniformës së tyre.

Në prag të kryqëzatave

"Betejat me simbol kryqin" është një podkast që ka për qëllim të hedh një vështrim kalimthi mbi librin me titull "Luftërat e Kryqëzatave" të autorit Muhamed Reshad. Këto luftëra të cilat janë organizuar në emër të fesë së krishterë dhe me simbolin e kryqit nga ana e aparatit të Kishës Katolike, u bëjnë thirrje popujve të Evropës që të shkojnë në luftë kundër myslimanëve. Këto luftëra që vazhduan për disa shekuj (1095-1291), kanë pasur rrethana dhe motive të caktuara për të cilat do të flasim gjatë këtij programi.

Një vend i vogël dhe i bukur malor ndodhet në skajin perëndimor të kontinentit aziatik dhe në Mesdheun lindor, i cili kufizohet me Sirinë dhe Libanin nga veriu dhe verilindja, Jordaninë nga lindja dhe gadishullin egjiptian nga jugu.

Kjo tokë është djepi i feve monoteiste, djepi i historisë dhe vendtakimi i qytetërimeve. Me ardhjen e profetit Ibrahim (paqja qoftë mbi të), në këtë vend u përhap besimi monoteist dhe adhurimi i vetëm një Zoti, ndërsa në kohën e kalifit të dytë të myslimanëve, feja islame u përhap në këtë vend. Një tokë e quajtur Palestinë.

Periudha historike për të cilën do të flasim, është periudha pas në shekullin e 11 të erës së re. Domethënë vitet kur shumë luftëra shpërthyen me sulmin e evropianëve kundër myslimanëve dhe që vazhduan për rreth dy shekuj. Këto beteja u bënë të njohura si “Kryqëzata” sepse ushtarët e krishterë, me urdhër të Papa Urbanit II, qepën kryqin në shpatullën e djathtë të veshjes ose uniformës së tyre.

Edhe pse këto fushata të agresionit kishin arsye të ndryshme, historianët vënë në dukje se një nga arsyet ishte "dashuria" e të krishterëve për Palestinën dhe rimarrjen e qytetit të Kudsit të shenjtë (Jerusalemit). Natyrisht, përveç faktorit të rëndësishëm dhe themelor të ndjenjave fetare, edhe faktorë të tjerë kërkonin që popujt evropianë ta pranonin këtë ftesë.

Më herët u tha se shkaku i parë i drejtpërdrejtë i kryqëzatave ishte provokimi i ndjenjave fetare të të krishterëve, që lindi për shkak të sulmeve të turqve selxhukë. Deri atëherë, bota ishte përshtatur me dominimin, sundimin dhe qeverisjen e myslimanëve në Lindjen e Afërt, sepse kalifët e dinastisë Fatimi të Egjiptit kishin ndjekur rrugën e tolerancës në qeverisjen e Palestinës, dhe pavarësisht nga disa ngjarje dhe raste të veçanta, besimtarët e krishterë dhe grupe të tjera fetare në këtë vend kishin shumë liri në ndjekjen e mësimeve të tyre fetare. Për shumë vite, vizita e varrit që pretendohet se është i Hazreti Isait (a.s.) në Palestinë, konsiderohej një formë adhurimi ose shlyerjeje e mëkateve për besimtarët e krishterë. Në të gjithë Evropën mund të shiheshin njerëz që mbanin si për stoli gjethe të palmave të tokës së Palestinës si kryq, si një shenjë që tregonte se kishin shkuar për pelegrinazh në vendet e shenjta. Ata gjithmonë kishin të drejtë të vizitonin lirisht vendet e shenjta në Palestinë, dhe guvernatorët myslimanë të dinastisë Fatimi të Egjiptit nuk vendosën asnjë kufizim ndaj tyre.

Mirëpo, në vitin 1070 të erës së re, turqit dinastisë Selxhuke e morën Xhaminë e Shenjtë nga kontrolli i fatimidëve dhe duke zbatuar politikat e sundimtarëve të rinj, të cilat nuk kishin lidhje me atë që zbatohej më parë në këtë tokë, pelegrinët e krishterë u përballën me kufizime.

Ky mund të jetë shkaku i parë i pakënaqësisë dhe më vonë shkak për fillimin e kryqëzatave, por sipas historisë, ky nuk ishte shkaku i vetëm apo edhe shkaku më i rëndësishëm i këtyre luftërave. Shkaku i dytë i drejtpërdrejtë i kryqëzatave ishte ndjenja e ambicies së qyteteve italiane si Piza dhe Xhenova, të cilat donin të zgjeronin shtrirjen e fuqisë së tyre tregtare gjithnjë e në rritje.

Këto qytete italiane, të cilat ishin pasuruar me eksportimin e mallrave vendase në anën tjetër të Alpeve, bënin përpjekje t'i jepnin fund epërsisë ekonomike të myslimanëve në Mesdheun Lindor dhe të hapnin tregjet e Lindjes së Afërt ndaj mallrave të Evropës Perëndimore.

Por shkaku i tretë dhe më i rëndësishëm i drejtpërdrejtë i luftërave të kryqëzatave ishte dobësimi i Perandorisë Bizantine (Bizanti Lindor). Perandoria Bizantine ishte e vendosur midis kryqëzimit të rrugëve evropiane dhe aziatike për shtatë shekuj dhe parandaloi pushtimin e ushtrive dhe grupeve aziatike rreth Evropës në këtë rajon. Tani, kjo perandori me mbretërinë e Aleksiusit ishte dobësuar aq shumë për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme, saqë nuk mund të arrinte më të kryente këtë detyrë të rëndësishme historike.

Në vitin 1071 të erës së re, një grup trupash bizantine u mundën nga turqit, dhe turqit e dinastisë Selxhuke, pasi pushtuan qytetin e Antakisë, i cili tani ndodhet në Turqinë e sotme, ia vunë sytë vetë qytetit të Kostandinopojës, kryeqytetit të Bizantit (Perandorisë Romake të Lindjes). Perandori Aleksius dërgoi ambasadorë te Papa Urbani II dhe inkurajoi Evropën Latine që ta ndihmonin atë për t'i bëduar turqit nga Evropa.

Njëzet vjet më vonë, kur Papa Urbanus kryesoi Këshillin Qendror të Luftës në mars të vitit 1095, zjarri i luftimit të turqve selxhukë ende nuk ishte ftohur. Në këtë këshill, Papa Urbanus foli në mbështetje të kërkesës së ambasadorëve të Aleksit, por i këshilloi ata të mos nxitonin për të marrë vendime derisa të mblidhej një asamble më e madhe që përfaqësonte të gjithë të krishterët për t'i shpallur luftë Islamit. Pa dyshim, Urbanusi parashikoi se dështimi në këtë çështje të rëndësishme do t'i shkaktonte dëme të mëdha krishterimit dhe kishës. Prandaj, ai i peshoi të gjitha aspektet për realizimin e aspiratës së tij të madhe. Aspirata e tij ishte të kthente Kishën Lindore nën sundimin e Kishës Katolike, të bashkonte të ashtuquajturin krishterim në një botë të fuqishme nën komandën e papëve të Vatikanit dhe ta bënte Romën edhe një herë kryeqytetin e botës.

Nga marsi deri në tetor 1095, Urbanus udhëtoi  nëpër Italinë veriore dhe Francën jugore dhe u kërkoi prijësve të popujve të ndryshëm të krishterë ndihmën që i nevojitej. Ai mbajti një këshill të madh të krishterë në Klermon të Francës, në një ditë të ftohtë nëntori. Mijëra njerëz nga zona dhe komunitete të ndryshme ngritën tendat e tyre në mes të fushave dhe u krijua një tubim i madh. Papa filloi fjalimin e tij me plot entuziazëm.

Ai u tha të pranishmëve: “O racë e frankëve! Raca e dashur dhe e zgjedhur e Zotit! Kanë sjellë lajme pikëlluese nga kufijtë e Jerusalemit dhe nga Kostandinopoja, se një popull krejtësisht i painformuar për Zotin, sulmoi besimtarët e krishterët në mënyrë të egër dhe barbare. Tani, nëse ju nuk përballoni dhe nuk duroni vuajtjet dhe vështirësitë e hakmarrjes për këto veprime të padrejta dhe marrjen e këtyre tokave, atëherë kush do ta bëjë këtë? Po ju jeni ata që Zoti ju ka bekuar, më shumë se të tjerët, me madhështi e burrëri në luftë dhe me guxim e forcë të madhe për t'i shtypur kokën popullit që është ngritur në luftë kundër juve.

Le t'ju inkurajojnë veprimet e paraardhësve tuaj, lavdia dhe madhështia e sundimtarëve të kësaj toke! Le t'ju motivojë varri i Shpëtimtarit të Shenjtë dhe Zotërisë sonë, i cili tani është nën pushtimin e popujve të ndyrë dhe vendet e shenjta që tani janë ndotur nga papastërtia e tyre! Asnjë shqetësim në çështjet familjare dhe asnjë pasuri të mos ju pengojë nga kjo çështje serioze!

O miq të Krishtit! Kjo tokë ku jetoni tani dhe që është e rrethuar nga deti dhe majat e maleve, është shumë e ngushtë për popullsinë tuaj të madhe. Ai qytet mbretëror, i cili ndodhet në zemër të botës, dëshiron që ju të nxitoni dhe t'i shkoni në ndihmë. Pranojini me mall e dashuri vështirësitë e këtij udhëtimi për faljen e mëkateve tuaja dhe në këmbim, mbështetuni te madhështia e pavdekshme e Mbretërisë së Perëndisë!”

Një klithmë e fortë u ngrit në qiell nga turma e madhe e njerëzve: "Ky është vullneti i Zotit"  Këto fjalë i përsëriti edhe Urbaniusi me ta dhe u kërkoi ta bënin këtë fjali sloganin e tyre të luftës dhe urdhëroi njerëzit që ishin të gatshëm të merrnin pjesë në kryqëzatë të mbanin shenjën e kryqit në kraharor ose në ballë. Mijëra njerëz në këtë mënyrë bënë besëlidhje. Murgjit dhe asketët dolën  nga skutat e veçimit për t'u bërë luftëtarë të ushtrisë së Krishtit, me plot kuptimin e fjalës. Kur Papa u kthye në Romë pas një mungese dyvjeçare, njerëzit e atij qyteti, të cilët ishin më pak fetarë se njerëzit e qyteteve të tjera të krishtera, e pritën atë me plotë entuziazëm.

Papa Urbanius i hyri punës. Pa kundërshtimin e mbretërve evropianë, ai mori në dorë kompetencat e nevojshme dhe u dha kryqtarëve shumë përfitime dhe premtime për mirëqenie dhe pasuri. Ai fali kriminelët dhe projektoi vizione të qarta për të ardhmen e luftës. Këto premtime ishin shumë efektive për të motivuar njerëzit e shtypur nga lordët dhe nga sistemi feudal i asaj kohe në Evropë.

Evropa ishte bërë më e bashkuar pas përpjekjeve të Papës, dhe Urbanius i II e shihte veten, të paktën teorikisht, si pronar i një ushtrie të denjë dhe të pranueshme për monarkët evropianë. E gjithë bota e krishterë u mobilizua në mënyrë të paparë dhe u përgatit me shumë entuziazëm për luftë me botën islame.

**********

Por nga ana tjetër, në shekullin e 11-të, bota islame u nda në dy pjesë të mëdha. Pjesa lindore e saj sundohej nga kalifët abasid në Bagdad dhe pjesa perëndimore nga kalifët fatimidë në Kajro. Ka pasur gjithmonë një konflikt midis këtyre dy ndarjeve dhe kjo i kishte bërë të dyja shtetet më të dobëta dhe më të pambrojtura.

Emirët dhe familjet sunduese të rajoneve të ndryshme të botës islame ishin gjithmonë në luftë me njëri-tjetrin dhe nuk i kushtonin vëmendje rrezikut që vinte nga armiqtë e huaj. Në mesin e shekullit të 11-të, Sulejman Selxhuku pushtoi qytetin e Antiokisë në emër të Sulltan Malikshahut, mbretit të turqve dhe themeloi shtetin selxhuk të Bizantit.

Sulejman Selxhuku disa vite më vonë u vra në një luftë për marrjen e Alepos dhe në këtë mënyrë, Azia e Vogël humbi një sundimtar të fuqishëm që mund t'i udhëhiqte turqit selxhukë kundër rrezikut të kryqtarëve. Mbreti Malekshah i dinastisë Selxhuke, i cili ishte i shqetësuar për krijimin e ndarjeve dhe grindjeve në familjen mbretërore selxhuke, si dhe për vendosjen e kontrollit të vëllait të tij mbi territorin e Shamit, vetë marshoi me ushtri drejt Alepos dhe duke e pushtuar Antiokinë, arriti të vendosë një stabilitet në këtë rajon.

Me vdekjen e mbretit Malekshah, shpërtheu një luftë për pushtet midis katër fëmijëve të tij të vegjël dhe brenda pak vitesh, mbretëria e madhe e Selxhukëve u nda në pesë mbretëri të vogla. Ky konflikt u intensifikua dhe vazhdoi deri në fillimin e kryqëzatës së parë. Nga ana tjetër, gjatë sundimit të kalifit fatimid, Mustansir Bil-lah, selxhukët morën nën kontroll Tunizinë që ishte nën sundimin e fatimidëve dhe më pas Damaskun, Bejtul-Makades dhe zona të tjera të Palestinës. 

Krahas dallimeve politike, në shekullin e 11-të kishte rivalitete të ashpra midis ndjekësve të shkollave të ndryshme islame. Në të njëjtën kohë, ismailitët e kështjellës Alamut arritën kulmin e fuqisë së tyre nën udhëheqjen e Hassan Sabah dhe filluan betejat brenda Iranit kundër pushtetit sundues të selxhukëve. Në këtë mënyrë, fundi i shekullit të 11 të erës së re, ishte një kohë përçarjeje, armiqësie, dobësie, kaosi, lufte dhe gjakderdhjeje të brendshme dhe konflikte mes shkollave fetare në botën islame, një terren i përshtatshëm për fushatën luftarake dhe agresionin e ndjekësve të Papa Urbanit të II.

Kemi mbërritur në fund të pjesës së parë të podkastit “Betejat me simbol kryqin”. Ju mund të dërgoni kritikat, pyetjet dhe sugjerimet tuaja përmes faqes sonë. Do të dëshironim shumë të dinim mendimet dhe pikëpamjet tuaja për këtë podkast dhe podkastet tona të tjera dhe për të ndërvepruar dhe shkëmbyer ide me njëri-tjetrin. Ne gjithashtu do t’ju jemi shumë mirënjohës që nëse ju pëlqen përmbajtja e podkast-it, ju lutemi ta ndani atë me miqtë dhe familjarët tuaj dhe t’ua prezantoni atë edhe të tjerëve.

Faleminderit që dëgjuat episodin e parë të podkastit tonë! Programet tona mund t'i ndiqni në faqen e radios https://iranradio.ir/sq/ dhe www.parstoday.ir/sq

Tags