Betejat me simbol kryqin (3)
(last modified Sun, 15 Sep 2024 18:02:18 GMT )
Shtator 15, 2024 20:02 Europe/Tirane
  • Betejat me simbol kryqin (3)

"Shpata e atyre myslimanëve ndërmerr një hakmarrje shkatërruese në tokën e premtuar. Çfarë bëni ju  o burra të fortë dhe të guximshëm? Çfarë bëni ju o shërbëtorë të kryqit?

"Betejat me simbol kryqin" është një podkast që ka për qëllim të hedh një vështrim kalimthi mbi librin me titull "Luftërat e Kryqëzatave" të autorit Muhamed Reshad. Këto luftëra të cilat janë organizuar në emër të fesë së krishterë dhe me simbolin e kryqit nga ana e aparatit të Kishës Katolike, u bëjnë thirrje popujve të Evropës që të shkojnë në luftë kundër myslimanëve. Këto luftëra që vazhduan për disa shekuj (1095-1291), kanë pasur rrethana dhe motive të caktuara për të cilat do të flasim gjatë këtij programi.

Në episodin e mëparshëm, dëgjuam se si ushtria kryqtare pushtoi qytetet njërin pas tjetrit pas tjetrit dhe kreu shumë krime në Kuds. Forcat e ushtrisë kryqtare pas këtyre pushtimeve, ata u përpoqën të pushtonin Palestinën, Sirinë dhe madje edhe Irakun e sotëm. Këto përpjekje bënë që sundimtarët e tjerë myslimanë, të cilëve akoma u kishte mbetur pak shpirt luftarak, të ngriheshin në këmbë. Kështu që më në fund Emadudin Zangi , sundimtari trim i Mosulit, arriti të çlirojë Alepo e Sirisë nga rrethimi i kryqtarëve.

Kalaja Atareb ndodhej në rrugën midis Alepos dhe Mosulit dhe kryqtarët e përdornin atë për të plaçkitur karvanët e tregtarëve myslimanë prej andej. Emadudin Zangi u nis me trupat e tij drejt kësaj kështjelle. Kur kryqtarët u informuan për këtë fushatë, kërkuan ndihmë nga pushtuesit e qyteteve të tjera dhe numri i ushtrisë kryqtare arriti disafishin e ushtrisë myslimane. Megjithatë, Imadudini pas një lufte të ashpër, arriti të mposhtte kryqtarët dhe të rimarrë kështjellën. Kjo ishte fitorja e parë myslimane ndaj kryqtarëve.

Emadudin pak kohë më vonë u vra nga komplotistët e brendshëm dhe mbretëria e tij u nda midis dy djemve të tij. Mosuli përfundoi nën sundimin e Al-Ghazi dhe Alepo u bë pjesë e sundimit të Nurudinit. Në këtë kohë, qyteti A'dsa, i cili u pushtua nga familja mbretërore Zengi, u rrethua nga kryqtarët dhe pas komplotit nga ana e disa banorëve, qyteti më në fund u pushtua nga kryqtarët. Disa trupa të forcave turke u strehuan në kalanë e qytetit dhe treguan rezistencë të madhe. Nurudin gjithashtu u nis me një ushtri nga Alepo për të rimarrë qytetin Adsa. Qyteti u rrethua dhe kryqtarët e rrethuar u vunë në shënjestër të shigjetave nga të dyja anët. Nga njëra anë turqit brenda kalasë dhe nga ana tjetër ushtria e madhe e Nurudin Zangi, e cila i rrethoi forcat e ushtrisë kryqtare nga jashtë kalasë së qytetit. Më në fund, kryqtarët thyen rrethimin dhe u arratisen, por pësuan humbje të mëdha për shkak se u ndoqën nga turqit. Nurudin e shfrytëzoi rastin dhe me ushtrinë e tij avancoi drejt Antakias (Antiok) për të rimarrë kështjellat dhe territoret e pushtuara njëra pas tjetrës.

Komandantët e kryqtarëve, të alarmuar nga këto avancime të forcave myslimane, u mblodhën në qytetin e Kudsit të shenjtë dhe u konsultuan për të gjetur një zgjidhje. Ata zgjodhën një delegacion dhe e dërguan në Evropë për të kërkuar ndihmë nga Papa dhe nga sundimtarët evropianë. Ky delegacion shkoi në prani të Papës. Ata i thanë Papës se nëse nuk do të vinte ndihma e mjaftueshme nga Evropa, së shpejti edhe Kudsi i shenjtë do të binte në duart e myslimanëve. Papa i shkroi një letër kryepeshkopit dhe i kërkoi atij që t'i inkurajonte mbretërit evropianë për të marrë pjesë në këtë luftë. Kryepeshkopi pasi mori letrën e Papës, menjëherë shkoi të takohej me mbretin e Francës dhe e inkurajoi atë për luftë. Kryepeshkopi konsiderohej një figurë e shquar, e respektuar dhe e shenjtë për popullin e krishterë. Ai ishte shumë pasionant dhe fanatik, deri në atë mënyrë sa që shpesh thoshte se u jep përparësi ndjenjave më shumë se sa gjykimit. Ai kishte vendosur të fillonte kryqëzatën e dytë dhe po bënte gjithçka që ishte e mundur.

Kryepeshkopi organizoi një tubim të madh në Francën qendrore, ku u mblodhën figurat e mëdha fetare, ushtarake dhe politike të Francës, madje edhe vetë mbreti i Francës ishte i pranishëm në këtë tubim. Në atë forum u lexua letra e Papës dhe iu kërkua atyre të zbatonin urdhrin e tij. Papa dërgoi letra në të gjitha anët e Evropës, sipas të cilave pjesëmarrësit në Kryqëzatën e Dytë ishin të përjashtuar nga pagimi i çdo takse dhe familjet dhe pronat e tyre do të mbroheshin nga Kisha. Papa gjithashtu u premtoi njerëzve se nëse ata marrin pjesë në një fazë të luftës, të gjitha mëkatet e tyre të kaluara, të tashme dhe të ardhshme do t'u falen.

Mbreti i Francës, i cili para lëshimit të këtij urdhri të Papës planifikonte të bënte pelegrinazh në Kudsin e shenjtë (Jerusalemin), u bë më serioz në vendimin e tij pas mbërritjes së kësaj letre të Papës. Nga ana tjetër, kryepeshkopi dërgoi përfaqësues në rajone të ndryshme të Evropës dhe u kërkoi atyre të inkurajonin të gjithë njerëzit që të merrnin pjesë në fazën e dytë të kryqëzatës dhe të lexonin dekretin e Papës për faljen e mëkateve të tyre. Ai u shkroi një letër popullit të Anglisë dhe i inkurajoi ata të luftonin.

Në këtë letër, kryepeshkopi shkroi: "Tani, për shkak të mëkateve tona, armiqtë që shajnë kryqin kanë filluar të tregojnë praninë e tyre. Shpata e atyre myslimanëve po ndërmerr një hakmarrje shkatërruese në tokën e premtuar. Ju, çfarë bëni o burra të fortë dhe të guximshëm? Çfarë bëni ju o shërbëtorë të kryqit?"

Kryepeshkopi gjithashtu shkoi në Gjermani dhe i nxiti dukët gjermanë për të shkuar në luftë. Ai arriti të motivonte perandorin gjerman Konrad për të marrë pjesë në luftën e kryqëzatave, kështu që ai vetë qëndroi në krye të ushtrisë. Gjithashtu, kryepeshkopi i dërgoi një letër Spanjës dhe u bëri thirrje mbretërve dhe fisnikëve atje për të marrë pjesë në luftën e kryqëzatave. I dërguari i tij arriti të inkurajonte mbretin e Spanjës për të marrë pjesë në luftën e kryqëzatës.

Ushtria gjermane u nis drejt Hungarisë dhe Ballkanit me synimin për të nisur një luftë në shkallë të gjerë. Kur arritën në territorin e Bizantit, forcat e ushtrisë kryqtare u futën në aventura të tjera dhe në konflikte të brendshme. Këmbësorët gjermanë arrestuan një magjistar grek me akuzën e magjisë dhe deshën ta djegin atë në zjarr. Njerëzit e qytetit luftuan me trupat gjermane në mbështetje të magjistarit. Si pasojë e këtij konflikti, i gjithë qyteti u plaçkit dhe u dogj. Gjermanët vazhduan të kishin konflikte me banorët vendas gjatë gjithë rrugës. Edhe afër Konstandinopojës, ata dogjën një manastir dhe vranë murgjit e tij.

Perandori bizantin duke marrë parasysh këto rrethana, vendosi të mos lejonte forcat gjermane të kalonin nëpër Kostandinopojë. Perandori gjerman nuk u dorëzua dhe arriti në Kostandinopojë. Fillimisht ai vendosi të luftonte kundër perandorit bizantin me shtatëdhjetë mijë ushtarë, por më në fund ata arritën një marrëveshje dhe sipas marrëveshjes mes të dy palëve, u vendos që gjermanët të mos hynin në qytet dhe në vend të kësaj perandori t'u jepte pajisje dhe ushqime.

Disa ditë më vonë, ushtria gjermane hyri në Azinë e Vogël. Në këtë kohë, në Kostandinopojë mbërriti edhe mbreti i Francës. Perandori i Bizantit kishte një sjellje tjetër me mbretin e Francës.  Ai i priti ngrohtësisht francezët dhe i ftoi ata në qytet. Por perandori bizantin nuk ishte shumë i interesuar të ndihmonte kryqtarët sepse ata nuk ia kthyen Bizantit qytetet e Azisë së Vogël pasi i rimorën ato nga myslimanët në luftërat e fazës së parë të kryqëzatave. Kjo ishte në kundërshtim me zotimet e ushtrisë kryqtare. Nga ana tjetër, aleanca me një pjesë të sundimtarëve myslimane e mbronte territorin e tij nga veprimet e mundshme të francezëve, kështu që ai nënshkroi një kontratë dymbëdhjetëvjeçare me sundimtarin Arslan të dinastisë Selxhuke.

Perandori bizantin për shkak të kësaj aleance tërhoqi mbështetjen e tij të plotë nga kryqtarët evropianë. Nga ana tjetër, ekzistimi i rivalitetit midis mbretërve të Gjermanisë dhe Francës u bë shkak që ata të mos sulmonin myslimanët si fillim. Forcat e myslimanëve në bazë të njohjes së territorit të tyre, u zunë pritë gjermanëve dhe francezëve dhe i shkatërruan forcat e tyre. Në këtë mënyrë, mbetën shumë pak ushtarë nga ushtria e madhe gjermane dhe franceze dhe ata që shpëtuan vuanin nga uria dhe etja. Ky grup i vogël i mbetur i dy ushtrive të gjermanëve dhe francezëve pas shumë vështirësive arriti në Kudsin e shenjtë dhe u përgatit për të sulmuar Damaskun. Pas disa muajsh, Konradi dhe Luigji i VII (mbretërit e Gjermanisë dhe Francës) u nisën për në Damask. Në atë kohë Damasku ishte në duart e vezirit të njërit prej sundimtarëve turq. Qyteti u rrethua nga kryqtarët. Veziri kërkoi ndihmë nga Nurudin Zangi. Nurudin Zangi shkoi në Damask me një ushtri të madhe. Kryqtarët, të cilët nuk patën aftësinë për të qëndruar, braktisën rrethimin e Damaskut dhe u kthyen.

Pas përfundimit të luftës dhe tërheqjes së kryqtarëve, secili nga mbretërit mori një udhë ndryshe. Konradi (perandori gjerman) u kthye në vendin e tij i zhgënjyer dhe duarbosh. Luigji VII qëndroi për pak kohë rreth Kudsit dhe Antakisë dhe pas pak u kthye në Francë.  Kjo disfatë e rëndë i turpëroi kryqtarët në sytë e myslimanëve. Myslimanët u inkurajuan dhe e kuptuan se me unitetin e tyre mund t'i mposhtin mbretërit e krishterë dhe kryqtarët. Ata e kuptuan se kryqtarët kanë dallime thelbësore brenda tyre, prandaj nëse myslimanët do të bashkohen, mund të arrijnë fitore të mëdha duke i intensifikuar dallimet mes tyre.

Nga ana tjetër, kjo disfatë e intensifikoi armiqësinë dhe mosmarrëveshjet e brendshme tek  kryqtarët. Për të justifikuar humbjen e tyre, kryqtarët e mposhtur u përpoqën t'i fajësonin ish-aleatët e tyre për këtë humbje të madhe dhe kjo çoi në një rritje të armiqësisë së tyre me njëri-tjetrin. Në fund të luftës, gjermanët i urrenin francezët po aq sa i urrenin bizantinët më parë, dhe francezët me kokëfortësi besonin se bizantinët ishin një kërcënim më i madh për të ashtuquajturin krishterim sesa myslimanët, dhe para fillimit të një kryqëzate tjetër, së pari, ata duhet të pushtonin Kostandinopojën.

Kemi mbërritur në fund të pjesës së tretë të podkastit “Betejat me simbol kryqin”. Ju mund të dërgoni kritikat, pyetjet dhe sugjerimet tuaja përmes faqes sonë. Do të dëshironim shumë të dinim mendimet dhe pikëpamjet tuaja për këtë podkast dhe podkastet tona të tjera dhe për të ndërvepruar dhe shkëmbyer ide me njëri-tjetrin. Ne gjithashtu do t’ju jemi shumë mirënjohës që nëse ju pëlqen përmbajtja e podkast-it, ju lutemi ta ndani atë me miqtë dhe familjarët tuaj dhe t’ua prezantoni atë edhe të tjerëve.

Faleminderit që dëgjuat episodin e tretë të podkastit tonë! Programet tona mund t'i ndiqni në faqen e radios https://iranradio.ir/sq/ dhe www.parstoday.ir/sq

Tags