Betejat me simbol kryqin (6)
Faza e tretë e kryqëzatave “Burrat fitimtarë [myslimanët] ishin të nderuar dhe fisnikë. Në të njëjtin vend ku 88 vjet më parë evropianët kalonin nëpër detin e gjakut, tani nuk u grabit asnjë shtëpi dhe nuk u dëmtua asnjë qenie e gjallë.”
"Betejat me simbol kryqin" është një podkast që ka për qëllim të hedh një vështrim kalimthi mbi librin me titull "Luftërat e Kryqëzatave" të autorit Muhamed Reshad. Këto luftëra të cilat janë organizuar në emër të fesë së krishterë dhe me simbolin e kryqit nga ana e aparatit të Kishës Katolike, u bëjnë thirrje popujve të Evropës që të shkojnë në luftë kundër myslimanëve. Këto luftëra që vazhduan për disa shekuj (1095-1291), kanë pasur rrethana dhe motive të caktuara për të cilat do të flasim gjatë këtij programi.
“Burrat fitimtarë [myslimanët] ishin të nderuar dhe fisnikë. Në të njëjtin vend ku 88 vjet më parë evropianët kalonin nëpër detin e gjakut, tani nuk u grabit asnjë shtëpi dhe nuk u dëmtua asnjë qenie e gjallë.” Këto ishin fjalët e Steven Runciman, i cili e ka trajtuar historinë e kryqëzatave me një vështrim të drejtë në librin e tij. Ai shkruan:
"Salahudin Ejubi vëzhgoi ushtarët, rrugët dhe portat dhe parandaloi çdo cenim të mundshëm të jetës dhe pronës së njerëzve. Megjithatë, kur të krishterët pushtuan Jerusalemin, ata vranë shumë njerëz të qytetit dhe derdhën shumë gjak. Gjithashtu, nga mënyra se si të krishterët luftojnë dhe vrasin, kuptojmë se kryqtarët, madje edhe udhëheqësit e tyre fetarë, nuk i krijuan këto luftëra për hir të Profetit Isa, por bënë të gjithë atë gjakderdhje për shkak të ambicieve dhe dëshirave të tyre të kësaj bote. Megjithëse vepronte me marrëveshje, Salahudin Ejubi fali shumë robër të kryqtarëve me çdo pretekst dhe liroi mijëra njerëz me kërkesë të vëllait të tij, Al-Adilit. Ndonjëherë gratë që ishin paguar për lirimin e tyre shkonin tek ai dhe i kërkonin atij t'i falte burrat dhe vëllezërit e tyre dhe ai gjithashtu i falte. Dhembshuria dhe humanizmi i këtij njeriu ishte krejtësisht e kundërta e asaj që treguan kryqtarët dhe falja e myslimanëve ishte shumë më tepër se ajo e të krishterëve. Në kohën kur kryqtarët ishin agresorë dhe duhej të ishin trajtuar ashpër dhe të paguanin shtrenjtë për krimet që kishin kryer dhe për gjakderdhjen që kishin bërë, myslimanët nuk hodhën askënd në zjarr dhe as nuk urdhëruan kryerjen e ndonjë masakre apo vrasje masive.
Lufta e Salahudin Ejubit pati rezultate strategjike politike dhe ushtarake për myslimanët. Midis tyre, përdorimi i unitetit politik në përputhje me qëllimet e luftës dhe përdorimi i fitores ushtarake për të forcuar unitetin politik midis vendeve islame u dyfishua dhe dobësia politiko-ushtarake e mbretërisë kryqtare të pranishme në Levant, e cila kishte mbetur e fshehur deri në këtë kohë, u bë e qartë për të gjithë. Para kësaj, mbretëria kryqtare e lartpërmendur kishte arritur të impononte sundimin e vet hegjemonist mbi emiratet e vogla dhe të shpërndara islamike. Efikasiteti i shkëlqyer ushtarak i forcave myslimane, vendosmëria e tyre për të fituar, disiplina e tyre e rreptë në zbatimin e urdhrave gjatë betejës dhe aftësia unike udhëheqëse e Salahudin Ejubit për të menaxhuar betejën në mënyrë korrekte ishin faktorët e fuqisë së myslimanëve. Kalorësit Templarë u përpoqën shumë herë të hakmerreshin ndaj myslimanëve për disfatat e tyre dhe t'i befasonin ata, por dështuan në çdo tentativë. Arsyeja për këtë ishte përgatitja e vazhdueshme dhe e mirë që Salahudin Ejubi kishte krijuar për ushtrinë e tij.
Çlirimi dhe rimarrja e Bejtul-Mokades nga myslimanët ishte fatkeqësi për Kishën dhe shumicën e shteteve perëndimore. Ky lajm arriti të nxisë të krishterët fanatikë dhe oportunistët evropianë kundër myslimanëve. Para se ky lajm të arrinte zyrtarisht te autoritetet evropiane, ai kishte arritur në Perëndim përmes mënyrave të ndryshme si nga ata që ishin arratisur nga lufta. Nga ana tjetër, mossuksesi i Salahudin Ejubit për të pushtuar qytetin Sur (Tir) dhe disa toka të tjera nën sundimin e kryqëtarëve si Antakia (Antiok) çoi në rritjen e guximit të kryqtarëve që jetonin në Azi dhe shpresave të të krishterëve evropianë për të lakmuar rimarrjen e tokave të humbura. Banorët e qytetit Sur (Tir), të cilët e kishin lodhur ushtrinë myslimane që kishte rrethuar qytetin dhe i kishin detyruar të braktisnin rrethimin pas një kohe të gjatë rezistence, dërguan kryepeshkopin e qytetit te Papa dhe te mbretërit evropianë për të kërkuar ndihmë. Në të njëjtën kohë, të mbijetuarit e divizioneve ushtarake ua përcillnin me letra edhe shokëve të tyre në të gjithë Evropën lajmin fatkeq të ditëve të tyre.
Nga ana tjetër, brezi i ri i mbretërve dhe i popujve evropianë, të cilët nuk e kishin parë disfatën e ushtrive të tyre në fazën e dytë të kryqëzatave, menduan se këtë herë do të merrnin një rezultat tjetër dhe do të pasuroheshin duke pushtuar të gjithë Azinë. Papa nxiti disa peshkopë për të inkurajuar njerëzit në mbarë Evropën për të shkuar në luftë. Predikimi i kryqëzatës në veri të Alpeve iu besua peshkopit Julius dhe kardinalit Henry, një legat papal dhe një murg i cili ishte shumë i aftë në çështjet politike. Këto lajme arritën fillimisht tek Papa Urban III, por ai vdiq para se të mund të bënte ndonjë veprim. Pasardhësi i tij ishte Papa Gregori VIII, i cili hodhi themelet për kryqëzatën e ardhshme. Ai i inkurajoi të krishterët të merrnin pjesë në luftërat e kryqëzatave. Ai i urdhëroi të gjithë të agjërojnë dhe të falen së bashku. Për të përdorur të gjithë fuqinë e forcave të krishtera në luftën kundër myslimanëve, ai ndaloi luftën e mbretërve dhe sundimtarëve të Evropës me njëri-tjetrin. Priftërinjtë për t'i nxitur njerëzit të merrnin pjesë në luftërat e kryqëzatave, u zotuan se do të jetonin vetëm me lëmoshë pasi të krishterët të rimerrnin Kudsin e shenjtë. Ata vendosën të mos hipnin mbi kuaj deri atëherë dhe të udhëtonin nëpër vendet evropiane duke ecur në këmbë me një kryq në dorë.
Nuk kaluan as dy muaj nga fillimi i papatit të Gregorit të VIII, kur ai ndërroi jetë dhe Papa Klementi i III zuri vendin e tij. Ashtu si papët e mëparshëm, gjatë kryqëzatës së parë dhe të dytë, ai ua fali mëkatet e kaluara, të tashmes dhe të ardhmes besimtarëve të krishterë që merrnin pjesë në luftërat e kryqëzatave, dhe predikuesit e tij vizituan qytetet evropiane dhe inkurajuan njerëzit për të luftuar kundër myslimanëve. Ata vizatonin piktura dhe në ato treguan mosrespektimin dhe fyerjen e ushtarëve myslimanë ndaj varrit të Isait a.s., ose u tregonin njerëzve piktura në të cilat Profeti i nderuar i Islamit, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, rrihte Profetin Isa a.s.. Ata bënin propagandë të rrejshme dhe duke treguar histori për vuajtjet e të krishterëve në Azi, ata u përpoqën të provokojnë ndjenjat e të krishterëve evropianë kundër myslimanëve.
Sjellje të tilla tregojnë se si kisha përpiqej të arrinte qëllimin e saj botëror duke gënjyer dhe shpifur kundër myslimanëve. Duke shfaqur një imazh të rremë për Islamin dhe myslimanëve, ata përpiqeshin të realizonin interesat e tyre materiale. Padronët e kishës inkurajuan njerëzit e rrugës dhe të tregut që t'i paguanin më shumë taksa kishës dhe pushtetarëve. Taksat që tani varionin dhe shumoheshin me pretekstin e luftës për krishterimin.
Mbretërit e Gjermanisë dhe Francës, të cilët kishin harruar humbjen dhe dështimin e paraardhësve të tyre në Kryqëzatën e Dytë, ëndërruan të pushtonin Lindjen e Mesme dhe e panë urdhrin e Papës si një mundësi për të realizuar këtë ëndërr. Gjithashtu, mbretërit e Francës dhe Anglisë, të cilët kishin luftuar për territoret e diskutueshme për një kohë të gjatë, e konsideruan pjesëmarrjen në kryqëzata si një mundësi për të fituar më shumë popullaritet tek kisha dhe popujt e tyre.
Frederik Barbarosa, perandori i Gjermanisë, organizoi një kuvend dhe thirri në atë kuvend krerët fetarë, ushtarakë dhe politikë të Italisë dhe Gjermanisë. Në këtë kuvend, i cili u formua me kërkesë të kryepeshkopit, mori pjesë edhe vetë perandori gjerman. Peshkopi mbajti një fjalim inkurajues për audiencën dhe i inkurajoi njerëzit të merrnin pjesë në një kryqëzatë tjetër. Vetë perandori gjerman mori kryqin nga duart e peshkopit dhe u kërkoi të pranishmëve të përgatiteshin për luftë. Nga ana tjetër, u takuan edhe Philip Augusti, mbreti i Francës dhe Richardi i njohur si Rikard Zemërluani, mbreti i Anglisë. Ata bënë paqe me njëri-tjetrin nën flamurin e kryqit dhe u betuan të bëjnë sakrifica për çlirimin e Jerusalemit dhe të mos kursejnë asnjë përpjekje në këtë rrugë. Në të njëjtin takim u përcaktua edhe koha e nisjes dhe u urdhërua përgatitja e ushtrisë dhe forcave të armatosura. Kjo ishte një prelud i fillimit të Kryqëzatës së Tretë dhe betejave të njohura të Salahudin Ejubit dhe Richard Zemërluanit.
Në pjesën tjetër do të diskutojmë detajet e kësaj beteje. Natyrisht, duke qenë se të dyja palët ishin luftëtarë të aftë dhe sundimtarë të zotë, luftërat përfunduan në një periudhë të shkurtër kohore dhe u lidh një traktat paqeje midis dy mbretërve. Mbreti Richard i Anglisë i cili ndjente se mbretëria e tij në Angli ishte në rrezik, u kthye në vendin e tij dhe në çdo vend foli mirë për Salahudin kudo që shkoi. Në vitin 1193, Salahudin Ejubi vdiq dhe perandoria e tij u nda midis bijve të tij. Në testamentin e tij, ai e udhëzoi djalin e tij që të shmangte gjakderdhjen, të siguronte mirëqenien e popullit të mbretërisë së tij dhe të ishte i sjellshëm me njerëzit që e rrethonin atë. Salahudin Ejubi u varros në Damask.
Kemi mbërritur në fund të pjesës së gjashtë të podkastit “Betejat me simbol kryqin”. Ju mund të dërgoni kritikat, pyetjet dhe sugjerimet tuaja përmes faqes sonë. Do të dëshironim shumë të dinim mendimet dhe pikëpamjet tuaja për këtë podkast dhe podkastet tona të tjera dhe për të ndërvepruar dhe shkëmbyer ide me njëri-tjetrin. Ne gjithashtu do t’iu jemi shumë mirënjohës që nëse ju pëlqen përmbajtja e podkast-it, ju lutemi ta ndani atë me miqtë dhe familjarët tuaj dhe t’ua prezantoni atë edhe të tjerëve.
Faleminderit që dëgjuat episodin e gjashtë të podkastit tonë! Programet tona mund t'i ndiqni në faqen e radios https://iranradio.ir/sq/ dhe www.parstoday.ir/sq