Kolonialzmi, nga fillimi deri më sot (6)
(last modified Tue, 26 Nov 2024 18:26:04 GMT )
Nëntor 26, 2024 19:26 Europe/Tirane
  • Kolonialzmi, nga fillimi deri më sot (6)

Në serinë e podkasteve me titull “Kolonializmi nga fillimi deri më sot”, duke prezantuar fenomenin ogurzi të kolonializmit, diskutojmë historinë, sfondin dhe mënyrën e krijimit të këtij fenomeni në pjesë të ndryshme të botës.

Seriali i podkasteve "Kolonializmi, nga fillimi deri më sot" duke prezantuar fenomenin ogurzi të kolonializmit, trajton historinë, sfondin dhe mënyrën e krijimit të këtij fenomeni në pjesë të ndryshme të botës, dhe duke shqyrtuar shkaqet e shfaqjes dhe krijimit të kolonializmit, prezanton edhe llojet e tij. Në episodin e gjashtë të këtij podkasti, i cili bazohet kryesisht në materialin e paraqitur në librin "Njohja e kolonializmit" të shkruar nga Mustafa Eskandari, prezantohen dhe analizohen dimensionet dhe metodat e kolonializmit. Ju lutemi qëndroni me ne deri në fund të këtij episodi.

*************

Përshëndetje miq të dashur, jemi pranë jush me episodin e gjashtë të podkastit serik “Kolonializmi nga fillimi deri më sot”. Në episodet e mëparshme jeni njohur me prezantimin e kolonializmit, tiparet dhe epokat e tij të ndryshme. Gjithashtu kemi treguar edhe disa fakte në veçanti për grupet e ndryshme si grupet dhe organizatat propagandistike të krishtera, orientalistët, këshilltarët, intelektualët dhe njerëzit e pavetëdijshëm të cilët lëvizja kolonialiste i mbështeste për të arritur qëllimet e saj ogurzeza, dhe gjithashtu kemi folur edhe për dimensionet e metodave të ndryshme të kolonialistëve në aspektet politike dhe kulturore. Tani, në episodin e gjashtë të podkastit “Kolonializmi nga fillimi deri më sot”, do të flasim për dimensione të tjera dhe metoda të ndryshme të kolonializmit.

************************

Një nga dimensionet e kolonializmit manifestohet në çështjen e ekonomisë. Në dimensionin ekonomik, kolonializëm do të thotë marrja nën kontroll e ekonomisë së një vendi nga një shtet i huaj, me anë të infiltrimit në ekonominë e atij vendi për të siguruar interesat e kolonialistëve.

Ky dimension i kolonializmit kryhet nëpërmjet kthimit të shteteve të marra nën kontroll në prodhues të një produkti të vetëm, eksportimin e industrive të montazhit, dhënies së modeleve të zhvillimit, rritjes së interesit të kredive dhe komoditeteve, investimit, uljes së çmimit të lëndëve të para dhe rritjes së çmimit të produkteve të përpunuara industriale, marrjes së tarifave doganore nga eksportet e shteteve nën kontroll dhe heqjes së tarifave doganore për importet e veta ndaj tyre, krijimin e monopoleve në shit-blerje dhe vjedhjes së trurit dhe gjenive.

Në sektorin e shndërrimit të vendeve të kolonizuara në prodhues të një produkti të vetëm, shtetet kolonialiste me qëllim për t’i bërë këto vende të varura, përpiqen të bëjnë që ekonomia e vendeve të kolonizuara të jetë e varur duke u kufizuar me një ose më shumë produkte në mënyrë që të bëjnë presion mbi popullin e atij vendi sa herë që të dëshirojnë. Për këtë arsye, në vendet ku bujqësia mund të zhvillohet, ata zbatojnë një politikë për të inkurajuar kultivimin e vetëm një produkti dhe në vendet që kanë miniera, ata kërkojnë të inkurajojnë autoritetet lokale që vetëm të nxjerrin dhe shesin atë lëndë minerale.

Për shembull, shtetet kolonialiste pas ndarjes së kontinentit të Afrikës mes vete, i shtynë vendet e kolonizuara të prodhonin një lloj të prodhimeve bujqësore për t'u eksportuar në vende të tjera. Për shembull, në kuadër të kësaj politike, Gana eksportonte kryesisht kakao, Senegali  kikirikë, Sudani dhe Uganda kultivonin dhe eksportonin pambuk ndërsa Angola kafe.

Shpërndarja e burimeve njerëzore dhe financiare të një vendi në rrugën e një prodhimi të vetëm ose të disa produkteve të caktuara, mosplotësimi i nevojave të brendshme, varësia e ekonomisë së vendit të kolonizuar nga shitja e atij produkti, ndikimi i krijuar nga luhatjet e tregut dhe çmimit të produkteve të eksportit, dhe heqja e mundësisë së vendit të kolonizuara për planifikim korrekt; janë pasojat që sjell prodhimi i një produkti të vetëm nga ana e vendit të kolonizuar, ndërkohë që në këtë mënyrë garantohet vazhdimësia e sundimit hegjemonist të  kolonialistëve mbi këto vende.

Eksportimi i industrive të montimit është një sektor tjetër i kolonializmit në dimensionin ekonomik. Industri montimi quhen ato industri ku pjesët e një produkti prodhohen në një vend, por montimi dhe kompletimi i atyre pjesëve bëhet në një vend tjetër, ose prodhimi i atij produkti të jetë i varur në një mënyrë tjetër nga një shtet tjetër.

Për të penguar eksportimin e teknologjisë në vendet e tjera dhe për t’i bërë ato vende të varura, shtetet kolonialiste zakonisht nuk eksportojnë industritë kryesore në këto vende, por eksportojnë në këto vende vetëm ato industri që teknologjinë e të cilave e kanë në duart e veta dhe në realitet u dorëzojnë vendeve të tjera vetëm industrinë e montimit të pjesëve. Sigurisht që edhe nëse eksportojnë industrinë kryesore në vendin në fjalë, eksportojnë llojin e vjetër të asaj industrie, produktet e të cilës nuk kanë shumë blerës në botë dhe në fund të fundit, ato vende nuk mund të zhvillojnë fuqinë e vet për të konkurruar ndaj produkteve të avancuara. Qëllimi i eksportimit të industrive të montimit është krijimi i varësisë së vendeve të kolonizuara dhe ulja e kostos së përfundimit të produkteve, sepse në këto vende të kolonizuara, ndryshe nga vendet e zhvilluara, forca e punës mund të sigurohet me çmim shumë të lirë, dhe kështu mallrat arrijnë në treg me çmim më të lirë. Garantimi i varësisë nga vendet prodhuese, garantimi i interesave të tyre, si dhe dobësimi i sektorëve të tjerë ekonomikë të vendit të kolonizuar, janë disa nga pasojat e tjera të industrive të montimit.

Një nga mënyrat më të fshehta dhe më të ndërlikuara të kolonizimit ekonomik të vendeve është ofrimi i modeleve jovendase të zhvillimit.

Pas Luftës së Dytë Botërore dhe konkurrencës së blloqeve Lindje-Perëndim, si dhe me çlirimin dhe pavarësinë e vendeve të kolonizuara, u krijua një atmosferë në brendësi të së cilës u formuan teoritë e zhvillimit. Në një atmosferë të tillë, vendet që kërkonin zhvillimin dhe përparimin, ndoqën modelet perëndimore të zhvillimit duke menduar se ato janë rrugë për përparim, por ndjekja e këtyre modeleve dhe shembujve jo vetëm që nuk çoi në zhvillimin e atyre vendeve, por la pas probleme të shumta për vendet e kolonizuar. Vlen të theksohet se për arsye të ndryshme probleme të tilla janë më të zakonshme në vendet e botës islame sesa në rajonet e tjera.

Në lidhje me këto arsye në veçanti, duhet thënë:

 

Së pari: të gjitha modelet e zhvillimit kanë në thelb një natyrë jo fetare dhe jo shpirtërore dhe zbatimi i tyre në një shoqëri fetare, me siguri se do të shkatërrojë vlerat fetare, veçanërisht vlerat si bamirësia, dhënia e huas pa fajde, etj.

Së dyti: duke qenë se fryma e zhvillimit të shteteve kolonialiste është kapitaliste dhe fitimprurëse, ajo përfundimisht do të çojë në pabarazi ekonomike, në krijimin e hendeqeve të rënda klasore dhe ndikon shumë në shfaqjen e padrejtësisë në shoqërinë e vendeve të kolonizuara.

Së treti: këto modele të zhvillimit kanë natyrë kolonialiste, prandaj jo vetëm që trajektorja e tyre ndahet rrënjësisht nga rruga e luftës kundër kolonializmit, sundimit hegjemonist dhe imperializmit, por do të çojë edhe në krijimin e shpresave të vendeve të kolonizuara te shtetet kolonialiste dhe si rrjedhojë do të ketë për pasojë dorëzim e popujve të kolonizuar përball fuqive kolonialiste.

Së katërti: duke pasur parasysh që këto modele zhvillimi kanë natyrë perëndimore, ato do të çojnë në promovimin e vlerave perëndimore në shoqëri të tjera.

Në fakt, ashtu siç është vërtetuar në praktikë, për vendet që aspirojnë modernitetin modelet e ndryshme të zhvillimit nuk kanë pasur rezultat tjetër përveç rëndimit të varfërisë, thellimit të hendekut klasor, krizës dhe rritjes së varësisë ndaj sistemit botëror të imperializmit.

Një mënyrë tjetër për t’i bërë të varura vendet e kolonizuara ndaj fuqive kolonialiste dhe për ta ushtruar kolonizimin e tyre ekonomik, është rritja e normave të interesit të kredive që u jepen këtyre vendeve në atë masë sa vendeve që marrin kredi u rritet  barra e tyre e rëndë e borxhit çdo ditë e më shumë dhe ndonjëherë interesi është në shuma më të larta se vetë kredia e marrë.

Gjithashtu, një nga metodat e tjera të kolonializmit në aspektin ekonomik janë investimet. Në fakt, një nga mënyrat e kolonizimit ekonomik janë investimet e kapitalistëve të shteteve kolonizuese brenda vendit të kolonizuar. Investimi ka një dukje dashamirëse ndërkohë statistikat dhe shifrat tregojnë se këta investitorë investojnë aty ku ka më pak rrezik dhe më shumë fitim dhe shuma e fitimit ndonjëherë është disa herë më e madhe se sa kapitali fillestar.

Gjithashtu duke ulur çmimin e lëndëve të para që zakonisht merren nga vendet e kolonizuara, shtetet kolonialiste u imponojnë këtyre vendeve një situatë, e cila përfundimisht çon në grabitjen e burimeve të popujve të kolonizuar. Në këmbim, kolonizatorët rrisin çmimin e produkteve të tyre industriale, dhe kjo është gjithashtu një shtesë mbi grabitjen e burimeve ekonomike të vendeve të kolonizuara. Fuqitë kolonialiste gjithashtu, i krijojnë më shumë bazat për një kolonializim më të theksuar të vendeve duke marrë tarifa doganore nga eksportet e vendeve të kolonizuara dhe duke anuluar tarifat doganore për importet e tyre.

Duke marrë tarifat doganore, fuqitë kolonialiste bëjnë që produktet e këtyre vendeve të arrijnë te konsumatorët me një çmim të lartë, që në fund të fundit do të ketë  më pak fitim për prodhuesit. Nga ana tjetër, duke ushtruar presion mbi popujt e kolonizuar, fuqitë kolonialiste i përjashtojnë produktet që eksportojnë tek kolonitë e veta nga tarifat doganore në mënyrë që të kenë përfitime më të mëdha që kështu produkti i tyre të arrijë tek konsumatori me një çmim më të lirë për të pasur më shumë shitje.

Shtetet kolonialiste zakonisht përveç monopolit në blerjen e mallrave të vendeve të kolonizuara, vendosin monopol edhe në shitjen e produkteve të tyre në këto vende. Qëllimi i kolonialiste me këto veprime është marrja nën kontroll të plotë e ekonomisë së këtyre vendeve dhe largimi i rivalëve nga fusha e konkurrencës.

Një metodë nga e cila fuqitë kolonialiste kanë vite që përfitojnë dhe që është bërë e njohur në dekadat e fundit, është vjedhja e trurit ose grabitja e gjenive të popujve të kolonizuar. Ata gjithmonë janë përpjekur që me hile e dredhi të ndryshme t’i bëjnë gjenitë dhe talentet e vendeve nën shënjestër të largohen nga vendet e tyre dhe të jetojnë në vendet e zhvilluara. Në këtë drejtim, disa detyrohen ta bëjnë këtë me joshje dhe të tjerët me kërcënime, dhe nëse dikush nuk pranon të bashkëpunojë me kolonialistët, ose e vrasin ose i shkaktojnë dëmtime që e bëjnë të bie nga aftësia e të menduarit. Me këtë veprim, përveç faktit që e zbrazin atë vend nga forcat kreative dhe të talentuara, fuqitë kolonialiste marrin përfitime të shumta nga joshja e elitës së këtyre vendeve.

Të dashur miq, diskutuam aspekte të ndryshme të kolonializmit në dimensionin ekonomik, ndërsa në episodin e pestë, patëm diskutuar për kolonializmin në dimensionet politike dhe kulturore.

Në vazhdim të këtij episodi duam të flasim veçanërisht për metodën që përdoret në të gjitha aspektet e kolonializmit. Një metodë e quajtur globalizim.

Termi globalizim ka më pak se tre dekada që është bërë publik, por shfaqja e idesë së globalizimit ka një sfond që shkon shumë dekada më prapa.

Themelimi i Kombeve të Bashkuara në 1945 dhe botimi i librit “Global Village” nga Marshall McLuhan në vitin 1965, si dhe formimi i organizatave ndërkombëtare, janë baza të formimit më të hershëm të kësaj ideje, por bazat më specifike të kësaj ideologjie datojnë që nga botimi i librit "Vala e Tretë" nga Alvin Toffler në vitin 1987.

Në vitet 1980-ta, avancimi i teknologjisë së informacionit dhe revolucioni informatik bënë që Toffler ta quante atë (idenë e globalizmit) "Valë e Tretë".

Me avancimin e teknologjisë së komunikimit, të gjithë kufijtë gjeografikë, politikë, ekonomikë, kulturorë dhe ideologjikë anashkalohen. Kjo u bë shkak që ish-presidenti George Bush të propozojë teorinë e "Rendit të Ri Botëror". Në këtë rend të ri, sistemi i miratuar nga bota e përparuar, që është sistemi amerikan, duhet të bëhet global.

Globalizimi është një fenomen tërësisht i bazuar në të menduarit e përbashkët të botës perëndimore. Baza intelektuale e Perëndimit të ri, e cila u formua pas renesancës, përmblidhet në një qëndrim materialist dhe njeriu konsiderohet boshti i ekzistencës. Prandaj, globalizimi në fakt është materializimi dhe vendosja e jetës së kësaj dynjaje në pozicion primar.

Projekti i globalizimit në dimensionin ekonomik kërkon të kapë tregtinë, tregjet, fuqinë punëtore dhe mallrat në arenën globale, të ketë ndërhyrjen në përcaktimin e pronësisë, punës, pagave dhe kostos së shërbimeve.

Në dimensionin politik, ky projekt ndjek synime si kapja e pushtetit, monitorimi dhe nënshtrimi i njerëzve dhe përpiqet të ripërcaktojë koncepte si "legjitimiteti", "autoriteti" dhe "siguria ndërkombëtare".

Globalizimi në dimensionin kulturor kërkon gjithashtu të marrë nën sundim përkufizimin e vet të vlerës, antivlerës, jetës, zhvillimit dhe përparimit, lirisë, të drejtave të njeriut dhe demokracisë.

Në mënyrë të përmbledhur, mund të thuhet: "Globalizimi" është përhapja dhe konsolidimi i bazave morale, vlerave, strukturave politike, sociale, kulturore dhe ekonomike të shoqërive të zhvilluara në shoqëritë në zhvillim e sipër ose të pazhvilluara, dhe është një nga strategjitë e kolonizimit në botën e re, e cila mundëson një shfrytëzim sa më të madh të vendeve të pazhvilluara nga kolonialistët e botës së re.

**************************************************

Të dashur miq dhe shoqërues, kemi mbërritur në fund të episodit të gjashtë të serialit të podkasteve "Kolonizimi nga fillimi deri më sot".

Në këtë episod, ne shqyrtuam dimensionet dhe metodat e ndryshme të kolonializmit dhe zbuluam se kolonializmi manifestohet në dimensione politike, kulturore dhe ekonomike. Tema për të cilën do të diskutojmë në episodin e ardhshëm, në  episodin e shtatë të këtij podkasti, titullohet “Mjetet dhe instrumentet e kolonialistëve”.

Ju falenderojmë përzemërsisht që na shoqëruat! Mirupafshim!

Podkasti "Kolonializimi nga fillimi deri më sot" i cili kryesisht përdor përmbajtjen e librit “Njohja e kolonializmit” të shkruar nga Mustafa Eskandari, duke prezantuar fenomenin ogurzi të kolonializmit, trajton historinë, sfondin dhe mënyrën se si krijohet ky fenomen në pjesë të ndryshme të botës, dhe gjithashtu shqyrton faktorët e shfaqjes dhe krijimit të kolonializmit.

Programet tona mund t'i ndiqni në faqen e radios https://iranradio.ir/sq/ dhe www.parstoday.ir/sq