Hamasi: Negociatat për fazën e dytë të armëpushimit nuk kanë filluar
Taher al-Nunu, këshilltar për media i kreut të byrosë politike të Hamasit, në një deklaratë tha se negociatat në lidhje me fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit nuk kanë filluar ende.
Sipas IRNA, Taher al-Nunu në një intervistë për Al-Arabi TV theksoi se pengesat e regjimit okupues për fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve në Gaza, eliminojnë mundësinë e zgjatjes së fazës së parë. Këshilltari për media i kreut të byrosë politike të Hamasit ndër të tjera tha: Ne jemi të përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit dhe tani i takon ndërmjetësve të detyrojnë regjimin pushtues që të përmbushë detyrimet e tij. Sot (e shtunë) është dita e fundit e fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve. Negociatat për fazën e dytë të marrëveshjes duhej të fillonin ditë më parë, por regjimi pushtues sionist ende po vonon dhe po pengon punën për këtë marrëveshje. Ndërsa Hamasi këmbëngul në domosdoshmërinë e futjes në fazën e dytë të marrëveshjes, në përputhje me kushtet e marrëveshjes, regjimi pushtues kërkon të shmangë zgjatjen e fazës së parë për lirimin e të burgosurve të tij dhe për të mos u tërhequr nga Rripi i Gazës. Televizioni izraelit Channel 12 të premten njoftoi se ekipi negociator izraelit do të kthehet në Tel Aviv për shkak të kundërshtimit të Hamasit për zgjatjen e fazës së parë të armëpushimit. Agjencia e lajmeve Axios, duke cituar një burim të lartë, njoftoi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të zhvillojë sot konsultime për marrëveshjen e lirimit të të burgosurve. Ky takim konsultativ do të mbahet me praninë e zyrtarëve të lartë izraelitë. Nga frika e kundërshtimit të armëpushimit dhe shembjes së kabinetit të tij, kryeministri izraelit po përpiqet të lirojë të burgosurit sionistë dhe të parandalojë më tepër lëshime në fazën e dytë.