Von der Leyen: Evropa duhet të armatoset menjëherë
(last modified Mon, 03 Mar 2025 09:10:50 GMT )
Mars 03, 2025 10:10 Europe/Tirane
  • Von der Leyen: Evropa duhet të armatoset menjëherë

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha të dielën se Evropa duhet të rinovojë armatimet menjëherë dhe t'i tregojë Amerikës se është e gatshme të mbrojë demokracinë.

Sipas agjencisë franceze të lajmeve AFP, Von der Leyen theksoi gjithashtu nevojën e rritjes së shpenzimeve ushtarake nga ana e vendeve evropiane dhe theksoi se do të paraqesë një "plan gjithëpërfshirës" për këtë çështje në një takim të zyrtarëve të BE-së të enjten.

Duke folur pas një takimi të liderëve evropianë në Londër, ajo u tha gazetarëve: “Ne duhet të forcojmë në mënyrë drastike aftësitë tona mbrojtëse. Amerika duhet ta dijë se ne jemi gati të mbrojmë demokracinë! Ne duhet ta vendosim Ukrainën në një pozicion të fortë”.

Në takimin e Londrës morën pjesë liderë dhe zyrtarë të rangut të lartë nga Anglia, Ukraina, Franca, Gjermania, Italia, Spanja, Holanda, Danimarka, Norvegjia, Finlanda, Suedia, Polonia, Rumania, Çekia, Turqia, Kanadaja, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Presidentja e Komisionit Evropian dhe Presidenti i Këshillit Evropian.

Kryeministri britanik Keir Starmer, në hapje të këtij takimi deklaroi se mbështetja e Ukrainës nuk është vetëm një çështje morale, por edhe jetike për sigurinë e të gjitha vendeve evropiane.

Ai tha gjithashtu se ka qenë në bisedime me shtetet baltike dhe planifikon të zhvillojë një plan mbështetës për Ukrainën dhe ta ndajë atë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.