Izraeli ndalon hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës
Regjimi sionist njoftoi se ka ndaluar hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës pas përfundimit të fazës së parë të armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve me Hamasin.
Sipas rrjetit televiziv Al-Alam, Zyra e Kryeministrisë izraelite njoftoi në një deklaratë se kryeministri Benjamin Netanyahu, të dielën në mëngjes, vendosi të ndalojë hyrjen e çdolloj ndihme humanitare në Rripin e Gazës.
Në justifikimin e këtij vendimi, Netanyahu ka përmendur si arsye të këtij veprimi kundërshtimin e Hamasit ndaj propozimit të të dërguarit special të presidentit amerikan në rajon, Steve Witkoff, për të zgjatur fazën e parë të armëpushimit.
Në përgjigje të këtij veprimi, lëvizja Hamas deklaroi se vendimi i Netanyahut për të ndaluar hyrjen e ndihmave humanitare për në Rripin e Gazës është shantazh i poshtër, krim lufte dhe mosrespektim i kësaj marrëveshjeje.
Gjithashtu, Ministria e Punëve të Jashtme e Arabisë Saudite duke lëshuar një deklaratë, njoftoi se qeveria e Riadit dënon vendimin e qeverisë okupatore izraelite për të ndaluar hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës dhe përdorimin e tij si mjet për shantazhimin dhe ndëshkimin kolektiv të palestinezëve.
Riadi i bën thirrje edhe një herë komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë veprime për të ndaluar agresionin e rrezikshëm izraelit, për të aktivizuar mekanizmat e sanksioneve ndërkombëtare dhe për të siguruar akses të vazhdueshëm në ndihmat humanitare.
Gjithashtu, Ministria e Punëve të Jashtme e Egjiptit njoftoi: “Nuk ka asnjë pretekst apo justifikim për veprimin e Izraelit për mbylljen e vendkalimeve dhe përdorimin uritjes si armë kundër civilëve të pafajshëm dhe rrethimit të Gazës, veçanërisht gjatë muajit të Ramazanit, dhe ky vendim është një shkelje e qartë e marrëveshjes së armëpushimit, ligjit ndërkombëtar humanitar, Konventës së Katërt të Gjenevës dhe të gjitha feve dhe ligjeve fetare”.