SHBA zyrtarisht vendos në listën e zezë Ansarullahun e Jemenit
(last modified Tue, 04 Mar 2025 18:06:30 GMT )
Mars 04, 2025 19:06 Europe/Tirane
  • SHBA zyrtarisht vendos në listën e zezë Ansarullahun e Jemenit

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka njoftuar se Uashingtoni e ka caktuar zyrtarisht lëvizjen Ansarullah Huthi të Jemenit si një organizatë të huaj terroriste (FTO).

Në një deklaratë të martën, Rubio tha se Departamenti i Shtetit po përmbushte një nga premtimet e hershme të Presidentit Donald Trump të bëra menjëherë pas marrjes së detyrës duke e vendosur zyrtarisht Ansarullahun në listën e organizatave terroriste.

Më 22 janar, Trump nënshkroi Urdhrin Ekzekutiv 14175 për të caktuar si një organizatë të huaj terroriste lëvizjen në pushtet në Jemen, Ansarullah, duke pretenduar se aktivitetet e saj në mbështetje të palestinezëve kërcënonin civilët dhe personelin ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme dhe destabalizuan tregtinë detare globale.

Që nga fillimi i luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza në tetor 2023, Ansarullah ka deklaruar mbështetjen e tij të plotë për aleatin e tij palestinez, Hamasin, duke kryer sulme ndaj anijeve të lidhura me Izraelin në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit.

Më vonë Ansarullah tha se anijet amerikane dhe britanike ishin gjithashtu objektiva pas sulmeve të përbashkëta ajrore të këtyre vendeve kundër Jemenit.

Ndërkohë, mediat jemenase raportuan të martën se një avion amerikan u rrëzua në brigjet e Hodeidah, porti kryesor i Jemenit në Detin e Kuq. Nuk u dhanë menjëherë detaje të tjera për këtë ngjarje.