Anglia shpreh shqetësimin për ndalimin e ndihmave humanitare për Gazën
Një zyrtare e lartë britanike shprehu shqetësimin lidhur me pezullimin e ndihmës humanitare për Gazën nga ana e regjimit sionist.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, cituar nga rrjeti televiziv Al-Jazeera, Catherine West, Nënsekretare Parlamentare e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Britaninë e Madhe, tha: "Ndihma humanitare nuk duhet të kushtëzohet me një armëpushim ose të përdoret si një mjet politik".
Ajo vazhdoi: "Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të zbatojnë plotësisht armëpushimin për t'u dhënë fund luftimeve. Jemi thellësisht të shqetësuar nga raportet të cilat thonë se Izraeli po pengon mbërritjen e ndihmave në Gaza."
Ajo theksoi: "Anglia i bën thirrje Izraelit të heqë menjëherë dhe pa kushte kufizimet e ndihmës. Situata humanitare në Gaza është e tmerrshme dhe parandalimi i hyrjes së mallrave në Gaza rrezikon shkeljen e detyrimeve nga ana e Izraelit bazuar në ligjin ndërkombëtar humanitar."
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, zyra e kryeministrit të regjimit sionist, në kuadër të shkeljes së marrëveshjes së armëpushimit, njoftoi të dielën se është ndaluar hyrja e të gjitha mallrave dhe sendeve të ndihmës në Rripin e Gazës.
Në deklaratën e zyrës së Netanyahut thuhet: "Ky vendim është marrë pas përfundimit të fazës së parë të marrëveshjes dhe kundërshtimit nga ana e Lëvizjes Hamas të planit të Steve Whitkoff, të dërguarit të SHBA-së për Lindjen e Mesme, për vazhdimin e negociatave.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Lëvizjes Hamas hodhi poshtë planin e të dërguarit të SHBA-së për Lindjen e Mesme për një armëpushim të përkohshëm në Rripin e Gazës dhe theksoi se të burgosurit sionistë të mbetur në Rripin e Gazës do të lirohen vetëm nëpërmjet negociatave në fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit.