Vritet në Irak personi numër dy i ISIS-it
(last modified Sat, 15 Mar 2025 07:52:26 GMT )
Mars 15, 2025 08:52 Europe/Tirane
  • Vritet në Irak personi numër dy i ISIS-it

Të premten, kryeministri i Irakut njoftoi vrasjen e Abdullah Makki-t, i njohur si “Abu Khadijah”, guvernatori i ISIS-it në Irak dhe Siri.

Sipas agjencisë së lajmeve ISNA, Muhammad Shia' al-Sudani njoftoi në një mesazh në platformën sociale X (ish-Twitter): “Forcat irakiane kanë arritur fitore të rëndësishme në luftën kundër forcave të errësirës dhe terrorizmit”.

Ai shtoi: “Organizata Kombëtare e Inteligjencës së Irakut, me mbështetjen dhe koordinimin e Komandës së Operacioneve të Përbashkëta dhe forcave të koalicionit ndërkombëtar, arriti të vriste Abdullah Makki Musleh al-Rafi'i, me nofkën Abu Khadijah”.

Më herët, të paktën në dy raste, është publikuar lajmi për vrasjen e Abu Khadija-s dhe nuk është konfirmuar nga burimet zyrtare të Irakut.

Abu Khadijah, zëvendës i vetëshpallur i kalifit të ISIS-it dhe guvernator i vetëshpallur i Irakut dhe Sirisë, ishte në krye të zyrave të operacioneve të jashtme të këtij grupi terrorist, dhe sipas al-Sudanit, ai konsiderohej një nga "terroristët më të rrezikshëm në Irak dhe në botë".

Al-Sudani e përgëzoi popullin irakian për këtë “sukses të rëndësishëm të sigurisë”.

Në qershor të vitit 2023, Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi dy nga udhëheqësit e lartë të ISIS-it, Abdullah Makki Al-Rafi'i dhe Abu Bakr Al-Minaki, në listën e vet të terrorizmit.