Trump ndalon hyrjen në SHBA për qytetarët e 43 vendeve
(last modified Sun, 16 Mar 2025 19:11:26 GMT )
Mars 16, 2025 20:11 Europe/Tirane
  • Trump ndalon hyrjen në SHBA për qytetarët e 43 vendeve

Administrata Trump po shqyrton një ndalim të ri udhëtimi që mund të prekë qytetarët nga deri në 43 vende, lëvizje kjo e cila synon të trajtojë “kërcënimin e sigurisë kombëtare dhe të sigurisë publike”.

Një memorandum i brendshëm i parë nga disa media amerikane përshkruan një projekt-propozim për një ndalim të zgjeruar të udhëtimit.

Memorandumi i kategorizon vendet në tre nivele: e kuqe, portokalli dhe e verdhë.

Qytetarët nga 11 vendet në kategorinë “e kuqe” do të ndalohen plotësisht të hyjnë në SHBA. Këto vende përfshijnë Afganistanin, Butanin, Kubën, Iranin, Libinë, Korenë e Veriut, Somalinë, Sudanin, Sirinë, Venezuelën dhe Jemenin.

Por bëhet e ditur se lista, e bërë nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së, mund të jetë subjekt i ndryshimit dhe ende duhet të miratohet, njofton euronews.

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë nuk e ka komentuar publikisht memorandumin e raportuar.

Lista pason një urdhër ekzekutiv të nënshkruar nga Trumpi më 20 janar, i cili thotë se do të mbronte vendin dhe qytetarët e tij nga “të huajt që synojnë të kryejnë sulme terroriste, të kërcënojnë sigurinë kombëtare, të përkrahin ideologjinë e urrejtjes ose të shfrytëzojnë ligjet e imigracionit për qëllime keqdashëse”.