Udhëheqësit evropianë kërcënojnë Putinin
ParsToday-Aleatët evropianë të Ukrainës e kanë kërcënuar Rusinë me sanksione të reja “masive” nëse deri të hënën Presidenti Vladimir Putin refuzon të bjerë dakord për një armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor të mbështetur nga SHBA-të.
Udhëheqësit e Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë dhe Polonisë, të cilët mbërritën në Kiev të shtunën, thanë se armëpushimi duhet të respektohet në tokë, në det dhe në ajër.
Presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari i ri gjerman Friedrich Merz dhe kryeministri britanik Keir Starmer mbërritën në kryeqytetin e Ukrainës së bashku me tren të shtunën nga Polonia fqinje. Më vonë, atyre iu bashkua edhe kryeministri polak Donald Tusk.
"Sapo kemi vendosur të mbështesim një armëpushim që do të fillojë të hënën e ardhshme, pa asnjë parakusht", tha udhëheqësi francez.
Macron tha se armëpushimi “do të monitorohet kryesisht” nga SHBA-ja, “në të do të kontribuojnë të gjithë evropianët”.
Armëpushimi, shtoi ai, do të hapte rrugën për "punë dhe negociata të menjëhershme me palët e përfshira për të ndërtuar një paqe të fortë dhe të qëndrueshme".
“Në rast të shkeljes së këtij armëpushimi, ne kemi rënë dakord që sanksione masive do të përgatiten dhe koordinohen midis evropianëve dhe amerikanëve”, tha Macron.
Kryeministri i Polonisë Tusk tha: “Për herë të parë pas një kohe të gjatë, patëm ndjesinë se e gjithë bota e lirë është vërtet e bashkuar.”
"Ne e dimë se testi i vërtetë është para nesh dhe para Putinit. Do të presim reagimin e Rusisë", shtoi Tusk.
Ministri i Jashtëm ukrainas Andriy Sybiga tha se pesë udhëheqësit më vonë zhvilluan një telefonatë “të frytshme” me Presidentin Donald Trump për ta informuar atë mbi rezultatet e takimit.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu gjithashtu mbështetje për armëpushimin, i cili sipas saj "duhet të zbatohet pa parakushte për të hapur rrugën për negociata kuptimplote paqeje".
Gjatë dy muajve të fundit, Kievi ka kërkuar një armëpushim të menjëhershëm 30-ditor, diçka për të cilën Rusia deri më tani ka refuzuar të angazhohet.
Moska thotë se e mbështet idenë në parim, por këmbëngul se ka disa çështje që duhen adresuar së pari.