Kremlini: Heqja e kufizimeve ushtarake ndaj Kievit është veprim i rrezikshëm
ParsToday-Kremlini iu përgjigj ashpër komenteve të kancelarit gjerman, Friedrich Merz se Ukraina tani ka aftësinë të godasë infrastrukturën ushtarake brenda territorit rus.
Përmes zëdhënësit të saj, Dmitry Peskov, Kremlini paralajmëroi se heqja e kufizimeve nga vendet evropiane mbi aftësitë ushtarake të Kievit do të ishte një “veprim i rrezikshëm”.
Siç argumentoi ai, një vendim i tillë bie ndesh me çdo perspektivë të një zgjidhjeje politike të konfliktit në Ukrainë.
Heqja e kufizimeve për përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi do të bëjë “ndryshimin vendimtar në luftën e Ukrainës”, shpjegoi kancelari Merz, duke shtuar se “një vend që mund t’i kundërvihet një sulmuesi vetëm në territorin e vet nuk po e mbron veten në mënyrë adekuate”.Më parë, Reuters raportoi se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky pritet të vizitojë Berlinin të mërkurën.
Para se të vinte në detyrë, Merz sinjalizoi se do të anulonte ndalimin e paraardhësit të tij, Olaf Scholz, për dërgimin e raketave Taurus të Gjermanisë, të afta për të goditur objektiva në një rreze veprimi prej 500 kilometrash.
“Nuk ka më asnjë kufizim në distancën e veprimit të armëve të dërguara në Ukrainë, as nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, as nga ne. Nuk ka asnjë kufizim as nga SHBA-ja”, tha ai gjatë një forumi diskutimi të organizuar nga kanali WDR.
Ai deklaroi se Ukraina tani mund të “mbrojë veten, për shembull, duke sulmuar objektet ushtarake në Rusi”.