Trump: Ukrainasit janë fajtorë, i dhanë një arsye Putinit
https://parstoday.ir/sq/news/event-i170938
ParsToday-Presidenti amerikan, Donald Trump ka sugjeruar se vetë Ukraina e ka provokuar Rusinë të sulmojë Kharkivin, përmes operacionit të saj “Rrjeta e Merimangës”.
(last modified 2025-06-08T14:29:56+00:00 )
Qershor 07, 2025 21:32 Europe/Tirane
  • Trump: Ukrainasit janë fajtorë, i dhanë një arsye Putinit

ParsToday-Presidenti amerikan, Donald Trump ka sugjeruar se vetë Ukraina e ka provokuar Rusinë të sulmojë Kharkivin, përmes operacionit të saj “Rrjeta e Merimangës”.

Në një përgjigje ndaj pyetjes së një gazetari nëse operacioni “Rrjeta e Merimangës” e ka ndryshuar mendimin e tij për avantazhet që ka presidenti ukrainas, Volodimir Zelensky, Trump tha se kjo i ka dhënë udhëheqësit rus, Vladimir Putin një arsye për të bombarduar qytetet ukrainase.

“I dhanë Putinit një arsye për të hyrë dhe për t’i bombarduar. Nuk më pëlqeu ai operacion. Kur e pashë, thashë: ‘Ja ku jemi, tani do të ndodhë sulmi'”, tha Trump.

Më 1 qershor, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës kreu një operacion special me emrin e koduar “Rrjeta e Merimangës”, duke goditur avionë strategjikë rusë në katër aeroporte.

Si përgjigje ndaj këtyre veprimeve, Rusia nisi gjatë natës mes 5 dhe 6 qershorit një seri sulmesh të mëdha ndaj Ukrainës, duke përdorur mbi 400 dronë si dhe 40 raketa lundruese dhe balistike. Sulmi shkaktoi viktima të shumta në mesin e civilëve dhe dëme të mëdha në infrastrukturë.

Sulmet vazhduan edhe të shtunën, kur Rusia kreu deri tani sulmin më të madh ndaj Kharkivit.