Çdo agresion kundër Iranit do t'u shkaktojë dëme armiqve "përtej imagjinatës"
ParsToday-Një komandant i lartë i Ushtrisë Iraniane ka paralajmëruar se Republika Islamike do t'u shkaktojë dëme "përtej imagjinatës" armiqve nëse ata angazhohen në ndonjë lloj agresioni kundër Iranit.
“Ne kemi detyrë të jemi plotësisht të përgatitur kundër çdo kërcënimi dhe jemi plotësisht gati”, tha të hënën kundëradmirali Habibollah Sajari, zëvendësshef i Ushtrisë Iraniane për Koordinim.
“Kushdo që kërkon të shkelë integritetin territorial dhe interesat e vendit tonë mund të jetë i sigurt se dëmi që do të pësojë do të jetë përtej imagjinatës së tij”, deklaroi ai.
Më tej në fjalën e tij, Sajari theksoi se Irani ka arritur të prodhojë armë dhe municione brenda vendit, pavarësisht sanksioneve.
Sot, “duke u mbështetur në aftësitë tona të brendshme, ne i plotësojmë nevojat tona”, tha ai.
Komandanti i lartë vuri në dukje se Irani prodhon brenda vendit më shumë se 90% të pajisjeve ushtarake të nevojshme për Forcat e Armatosura, dhe shtoi: "Ne jo vetëm që jemi bërë të vetëmjaftueshëm në sigurimin e pajisjeve tona, por jemi edhe aktivë në fushën e eksporteve të pajisjeve ushtarake".
Muajin e kaluar, një raport amerikan, duke cituar zyrtarë të shumtë, tha se Uashingtoni ka marrë informacione të reja që sugjeronin se regjimi izraelit ka lëvizur municione ajrore dhe ka kryer ushtrime ajrore, duke sinjalizuar një gjendje të shtuar gatishmërie.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) që të dënojnë urgjentisht planin e publikuar të Izraelit për të sulmuar objektet bërthamore të Iranit.