Ruhani: Debati presidencial Trump-Biden tregoi ngërçin e SHBA-së
Presidenti i Iranit Hasan Ruhani tha se debati i parë presidencial në SHBA midis Presidentit Republikan Donald Trump dhe sfiduesit Demokrat Joe Biden tregoi se Amerika është e bllokuar në një situatë të vështirë si në sferën e brendshme, ashtu edhe në atë të jashtme.
Ai tha se Uashingtoni kishte regjistruar rekordin më të keq në përballjen me pandeminë e koronavirusit dhe nuk mundi të arrijë ndonjë sukses në politikën e tij të jashtme. "Vetë amerikanët janë në një situatë shumë të vështirë," theksoi Ruhani, duke shtuar se populli iranian që ndiqte debatin ose lexonte për të "shikonte në çfarë ngërçi janë zhytur ata (amerikanët). "Nga njëra anë, ata kanë pasur menaxhimin më të keq të koronavirusit dhe po përballen me nivelin më të keq të papunësisë dhe trazirave brenda Shteteve të Bashkuara ... Nga ana tjetër, ata nuk arritën asnjë fitore në politikën e tyre të jashtme, "tha Ruhani. Presidenti i Iranit denoncoi gjithashtu SHBA-të për miratimin e "politikave më armiqësore, kriminale dhe terroriste" kundër kombit iranian prej 84 milionë, duke e përshkruar unitetin si mënyrën e vetme për t'ju kundërvënë këtyre skemave. "Armiqtë tanë ishin të pasuksesshëm në tre vitet e kaluara dhe, me vullnetin e Zotit, ata do të jenë të dështuar edhe në këta muajt e fundit dhe situata nuk do të mbetet kështu ... nëse qëndrojmë të bashkuar," nënvizoi ai.