Irani do ta shfrytëzojë me mençuri heqjen e embargos së armëve
Ambasadori iranian në Moskë vlerësoi qëndrimin e vendosur të Rusisë ndaj presionit të SHBA-së ndaj Teheranit në vitet e fundit, dhe deklaroi se "të dy vendet po këshillohen për bashkëpunimin ushtarak dhe teknik" dhe se plane të përshtatshme do të projektohen dhe zbatohen me kalimin e kohës.
Në një intervistë ekskluzive me agjencinë e lajmeve Interfax, ambasadori i RII në Moskë Kazem Xhalali, foli për tema të ndryshme duke përfshirë perspektivat e bashkëpunimit dypalësh në fushën ushtarake dhe teknike pas përfundimit të embargos mbi armët kundër Iranit si dhe punën e përbashkët të të dy vendeve për prodhimin e vaksinës kundër koronavirusit. Kur u pyet nëse pas 18 tetorit, kur skadon embargoja për shitjen e armëve në Iran dhe do të hiqen kufizimet për bashkëpunimin ushtarak-teknik midis Iranit dhe Rusisë, Irani do të fillojë të blejë sasi të mëdha armësh nga jashtë dhe nga cilat shtete do të blejë Irani armë, Xhalali u përgjigj: “Rezoluta 2231 e Këshillit të Sigurimit të OKB e ka bërë të qartë se embargoja e armëve kundër Republikës Islamike të Iranit do të hiqet më 18 Tetor. Amerikanët nuk kursyen asnjë përpjekje për të neutralizuar këtë rezolutë, por dështuan dhe përfunduan në izolim. Komuniteti ndërkombëtar ka arritur t'u rezistojë amerikanëve për këtë çështje, veçanërisht Rusia dhe Kina kanë bërë përpjekje të mëdha në këtë drejtim. Sigurisht, ne do të bashkëpunojmë me vendet e interesuara në fushën ushtarake dhe teknike dhe në blerjen e pajisjeve ushtarake që na nevojiten. Ne nuk do të kemi asnjë kufizim në këtë drejtim, dhe do ta shfrytëzojmë këtë mundësi me mençuri."