Ruhani: Irani gjithnjë do të qëndrojë përkrah popullit dhe qeverisë së Afganistanit
Presidenti i Republikës Islamike të Iranit duke vlerësuar dhe mbështetur përpjekjet e bëra për vendosjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Afganistan, deklaroi: “Populli dhe qeveria e Iranit gjithnjë ka qenë dhe do të qëndrojë përkrah popullit dhe qeverisë së Afganistanit.
Hasan Ruhani, presidenti i Republikës Islamike të Iranit, ditën e hënë në takim me Abdullah Abdulla, kryetarin e Këshillit të Lartë për Interesa Kombëtare të Afganistanit, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Teheran, u shpreh optimist për suksesin e përpjekjeve për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në Afganistan dhe tha: “Me rëndësi është kjo që populli i këtij vendi pas shumë vite luftërash dhe konfliktesh të arrijë në një paqe të vërtetë për të ruajtur sukseset që janë arritur deri më tani dhe rrugëzgjidhje janë negociatat dhe dialogu politik. Ndërhyrjet dhe prania e Amerikës si një shtet agresor në Afganistan nuk ka qenë dhe nuk është në harmoni me vullnetin e popullit afgan. Qeveria e Amerikës e cila ka dështuar në politikat e veta në rajon dhe në botë dhe nuk ka arritur kurrfarë suksesi, tani po mundohet t’i përdorë negociatat për paqe në Afganistan për përfitime elektorale”.
Hasan Ruhani në vazhdim vuri në dukje përurimin e hekurudhës Khaf-Herat gjatë ditëve të ardhshme dhe tha se lidhje e hekurudhave të Iranit dhe Afganistanit do të forcojë bashkëpunimet ekonomike dhe tregtare mes të dy vendeve, ndërsa shtoi: “Irani është i gatshëm të lidhë linjën e tubacionit të gazit dhe produkteve naftore me Afganistanin, të krijojë mundësi që edhe populli afgan të shfrytëzojë këto energji”.
Abdullah Abdullah gjithashtu duke vlerësuar lartë mbështetjet dhe qëndrimet e Republikës Islamike të Iranit në lidhje me zhvillimet dhe përpjekjet për vendosjen e paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Afganistan, u shpreh optimist se me mbështetjen dhe qëndrimet e Iranit, negociatat për paqe në Afganistan dhe vendosja e sigurisë dhe stabilitetit në këtë vendo do të japin rezultat.