Ruhani: Nëse Amerika kthehet në zbatimin e zotimeve, edhe ne kthehemi
Presidenti i Republikës Islamike të Iranit deklaroi se nëse ekziston një vullnet i fuqishëm dhe amerikanët kthehen në periudhën para sanksioneve, atëherë edhe ne në po atë ditë do të zbatojmë zotimet tona.
Agjencia e lajmeve IRIB njoftoi se Hasan Ruhani, presidenti i Republikës Islamike të Iranit, të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë tha se sanksionet janë padrejtësi e madhe ndaj popullit të Iranit që duhet të hiqen, ndërsa shtoi: “Nëse ekziston një vullnet i fuqishëm, Amerika brenda një dite mund t’i heqë sanksionet dhe atëherë edhe ne kthehemi në zbatimin e zotimeve tona. Amerika qind për qind ka qenë fajtore në çështjen e sanksioneve dhe askush nuk mund të dyshojë në lidhje me këtë. Amerikanët në mandatin e Trump kanë vendosur sanksione, kanë kryer veprime të paligjshme, çnjerëzore dhe veprim terrorist, prandaj populli ynë është privuar nga çdo gjë. Amerikanët kanë vendosur sanksione edhe ndaj artikujve ushqimor dhe ndaj medikamenteve”.
Hasan Ruhani gjithashtu në prag të ditës së Republikës Islamike të Iranit tha se republikanizmi, islamizmi dhe Irani janë tre shtyllat kryesore të sistemit shtetëror të Republikës Islamike të Iranit, ndërsa shtoi: “Këta tre elementë përkrah njëri-tjetrit përbëjnë Republikën Islamike të Iranit. Data 12 farvardin dhe pjesëmarrja e qytetarëve në referendumin 47 ditë pas fitores së Revolucionit Islamik dhe vota për sistemin shtetëror të Republikës Islamike tregon se qeverisja e shtetit të Iranit është në dispozicion të qytetarëve dhe qytetarët janë ata të cilët me votën e tyre zgjedhin funksionarët më të lartë të shtetit”.