Prill 25, 2021 20:22 Europe/Tirane
  • Eragçi: Nuk do të lejojmë që negociatat të bëhen të tejzgjatura

Negociatori i lartë i Iranit në bisedimet e Vjenës për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore deklaroi se Teherani nuk do të lejojë që negociatat të zgjasin shumë dhe do të largohet nga bisedimet nëse e ndien se palëve të tjera u mungon serioziteti dhe kërkojnë vetëm të blejnë kohë ose dëshirojnë të shtojnë çështje të tjera në bisedime.

"Askush nuk mund të parashikojë një afat specifik për bisedimet, por ne nuk do të lejojmë që negociatat të bëhen të tejzgjatura", tha të Dielën Abas Eragçi, pasi mori pjesë në një takim të Komitetit për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme të Parlamentit iranian ku raportoi mbi bisedimet e vazhdueshme që filluan në fillim të këtij muaji në kryeqytetin austriak. "Në të njëjtën kohë, ne nuk jemi në nxitim, sepse ka çështje serioze që po diskutohen gjatë bisedimeve, të cilat duhet të shqyrtohen me kujdes," tha Eragçi, i cili gjithashtu shërben si zëvendësministër i Jashtëm i Iranit për çështjet politike. Ai nënvizoi se një plan për heqjen hap pas hapi të sanksioneve të SHBA-së ndaj Iranit është hedhur poshtë shumë kohë më parë, duke thënë se Irani e hodhi poshtë propozimin shumë përpara se të fillonin bisedimet. "Plani hap pas hapi nuk është aspak çështje diskutimi në bisedimet aktuale ... Pozicioni i Teheranit është plotësisht i qartë," tha Eragçi, duke shtuar se së pari sanksionet e SHBA duhet të hiqen, heqja e tyre do të verifikohet nga Irani, dhe vetëm atëherë, Irani do të kthehet në angazhimet e tij nën marrëveshjen bërthamore. Negociatori i lartë i Iranit tha: "Ka sfida përpara bisedimeve. Sigurisht, tani jemi në një rrugë, e cila mund të japë fryte, por është herët të thuhet nëse do të jemi në gjendje të kapërcejmë të gjitha sfidat dhe pengesat. Prandaj, nuk mund të them se jemi optimistë ose pesimistë, por nuk jemi të dëshpëruar dhe po i përmbahemi detyrës tonë ”.

 

Tags