Irani kundërshton kërkesën e G7 për programin e tij raketor
Teherani ka hedhur poshtë një kërkesë nga Grupi G7 për të pezulluar të gjitha aktivitetet e tij në lidhje me raketat balistike, duke thënë se ato vende janë të vetëdijshme se Rezoluta 2231 e Këshillit të Sigurimit të OKB në asnjë mënyrë nuk kufizon programin raketor të Iranit.
"Interpretimet e Rezolutës 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB, nga ata që e dinë mirë se kujt i referohet kjo rezolutë, janë të papranueshme dhe shumë të pasakta," tha të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Said Khatibzadeh në një konferencë shtypi në Teheran. Vendet e G7 - Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara - lëshuan një deklaratë duke i bërë thirrje Iranit të "pezullojë të gjitha aktivitetet në lidhje me raketat balistike. "Ajo që thotë rezoluta i referohet raketave të dizajnuara për të mbajtur koka bërthamore që nuk janë pjesë e veprimtarive raketore të Iranit dhe lexime të tilla të papranueshme të rezolutës vetëm do të diskreditojnë ata që bëjnë këto pretendime," tha Khatibzadeh. Ai shtoi se do të ishte më mirë për udhëheqësit e G7 që në vend të këtyre pretendimeve të pabaza, të përmbushin detyrimet e tyre, të ndalojnë ndërhyrjen në punët e vendeve të rajonit dhe të përpiqen të japin më shumë kontribute për paqen dhe stabilitetin duke ndërtuar marrëdhënie të respektueshme me shtetet e rajonit.