Gusht 12, 2021 08:57 Europe/Tirane
  • Fotografia e ambasadorëve të Rusisë dhe Britanisë në Teheran irriton iranianët

Ministri i Jashtëm iranian Muhamed Xhavad Zarif kritikoi ambasadorët rusë dhe britanikë në Teheran për fotografinë e publikuar në llogarinë e Ambasadës Ruse në Twitter.

"Unë pashë një fotografi jashtëzakonisht të papërshtatshme sot. Duhet t'i kujtoj të gjithëve se gushti 2021 nuk është as gushti i vitit 1941 e as dhjetori 1943. Populli iranian ka treguar - përfshirë edhe gjatë bisedimeve për marrëveshjen bërthamore - se fati i tij nuk mund t'i nënshtrohet KURRË vendimeve në ambasadat e huaja ose nga fuqitë e huaja, "shkroi Zarif në një postim. Edhe Kryetari i Parlamentit të Iranit, Muhamed Baker Ghalibaf dënoi foton e bërë në Ambasadën Ruse, duke thënë se "sjellja e pahijshme diplomatike, nga ambasadorët e Rusisë dhe Britanisë" duhet të adresohet shpejt nga Ministria e Jashtme e Iranit. Ai këmbënguli që të dy ambasadorët duhet të kërkojnë falje menjëherë për sjelljen ose një përgjigje vendimtare diplomatike do të ishte e domosdoshme. Llogaria në Twitter e Ambasadës Ruse në Iran publikoi dje një fotografi, duke treguar Ambasadorin e ri Britanik në Teheran Simon Shercliff i ulur me Ambasadorin e Rusisë Levan Dzhagaryan në katin e sipërm në verandën e ndërtesës së Ambasadës Ruse. Vendndodhja dhe mjedisi kujtuan konferencën e Teheranit të vitit 1943, ku kryeministri i atëhershëm britanik Winston Churchill, presidenti i atëhershëm amerikan Franklin D. Roosevelt dhe ish-lideri i Bashkimit Sovjetik Joseph Stalin u ulën në të njëjtin vend për të bërë një fotografi. Kjo konferencë është shumë famëkeqe në mesin e iranianëve dhe konsiderohet si një agresion dhe poshtërim i identitetit dhe sovranitetit kombëtar iranian. Fotografia u kritikua gjerësisht nga të gjitha shtresat e popullsisë në mediat dhe rrjetet sociale iraniane.

 

Tags