Irani i bën thirrje ANEA-së të tregojë paanësi dhe profesionalizëm
https://parstoday.ir/sq/news/iran-i113902-irani_i_bën_thirrje_anea_së_të_tregojë_paanësi_dhe_profesionalizëm
Përfaqësuesi i Iranit në organizatat ndërkombëtare në Vjenë i ka bërë thirrje Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA) të ruajë paanësinë dhe profesionalizmin e saj ndaj aktiviteteve bërthamore të Teheranit.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Shtator 08, 2021 03:33 Europe/Tirane
  • Irani i bën thirrje ANEA-së të tregojë paanësi dhe profesionalizëm

Përfaqësuesi i Iranit në organizatat ndërkombëtare në Vjenë i ka bërë thirrje Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA) të ruajë paanësinë dhe profesionalizmin e saj ndaj aktiviteteve bërthamore të Teheranit.

Kazem Gharibabadi e bëri thirrjen të martën pasi shefi i ANEA -së, Rafael Grossi, pohoi në një raport se Irani po bllokon hyrjen në disa nga objektet e tij bërthamore dhe vazhdon të rrisë rezervat e tij të uraniumit të pasuruar mbi përqindjen e lejuar në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015. Gharibabadi theksoi se të gjitha aktivitetet bërthamore të Iranit, përfshirë pasurimin e uraniumit, janë në përputhje të plotë me Traktatin e Mospërhapjes dhe me angazhimet e vendit sipas marrëveshjes bërthamore. "Meqenëse palët e tjera në marrëveshjen bërthamore nuk i kanë përmbushur detyrimet e tyre në heqjen e sanksioneve dhe politika amerikane e vendosjes së sanksioneve të paligjshme dhe të njëanshme ndaj Teheranit ende vazhdon, askush nuk mund t'i bëjë presion Iranit që të ndalojë aktivitetet e tij bërthamore," tha diplomati iranian. "ANEA duhet të ruajë pavarësinë, paanësinë dhe profesionalizmin e saj, dhe anëtarët e ANEA duhet të përmbahen seriozisht nga ushtrimi i presionit mbi agjencinë dhe të heqin dorë nga përpjekjet për ta përdorur atë si një mjet për qëllimet e tyre politike," vuri në dukje Gharibabadi. I dërguari iranian kritikoi gjithashtu regjistrimin e të dhënave bërthamore të ANEA-s në Iran, duke thënë se marrëveshja e monitorimit midis Iranit dhe agjencisë u nënshkrua për një periudhë tre mujore dhe ishte vetëm një vendim politik. Gharibabadi nënvizoi se marrëveshja për regjistrimin e të dhënave nuk duhet të konsiderohet as si e drejtë e ANEA-së, as detyrim i Iranit.