Irani proteston ashpër ndaj sulmit kundër ambasadës në Azerbajxhan
Ambasadori iranian në Azerbajxhan ka shprehur protestën e fortë të Republikës Islamike mbi një sulm ndaj ambasadës së Iranit në Baku, duke thënë se Teherani do ta ndjekë seriozisht rastin derisa të arrihet një rezultat.
Abas Musavi tha të Premten se pas sulmit ndaj ambasadës një natë më parë dhe protestës së Iranit përmes kanaleve zyrtare, policia diplomatike e Azerbajxhanit dhe Ministria e Brendshme kanë "identifikuar, arrestuar dhe marrë në pyetje katër persona në lidhje me këtë çështje". Më herët gjatë ditës, ambasadori iranian hodhi poshtë ashpër akuzat e ngritura nga homologu i tij izraelit kundër Republikës Islamike, duke thënë se regjimi i Tel Avivit nuk do të jetë kurrë në gjendje të realizojë ëndrrat e tij në rajonin e Azisë Perëndimore. "Ëndrrat e Sionizmit për këtë rajon nuk do të realizohen kurrë," tha Musavi në një postim në llogarinë e tij në Twitter. Ndërkohë, Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian tha të enjten se Teherani nuk do të tolerojë praninë e Izraelit pranë kufijve të Iranit dhe do të marrë masat e duhura kundër aktiviteteve të regjimit sionist. Ndërsa Komandanti i Qarkut Veriperëndimor të Forcave Tokësore të Ushtrisë Iraniane, gjeneral brigade Ali Haxhilu tha të Premten se Republika Islamike nuk do të tolerojë praninë e elementëve të huaj dhe të sionistëve përgjatë kufijve të saj të përbashkët me shtetet fqinje. Ai shtoi se Irani kurrë nuk ka kryer një akt agresioni gjatë dy shekujve të fundit, por gjithmonë ka mbrojtur të drejtat dhe interesat e tij me vendosmëri. Komandanti theksoi se Republika Islamike nuk do të pranonte asnjë ndryshim gjeografik në kufijtë e përbashkët me shtetet e rajonit.