Kryeparlamentari i Iranit takohet me Erdogan
Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baker Ghalibaf deklaroi se një marrëveshje është e arritshme midis Teheranit dhe palëve të mbetura në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 gjatë bisedimeve në vazhdim në kryeqytetin austriak të Vjenë.
Ghalibaf i bëri komentet të premten në një takim me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan në Stamboll në margjinat e Konferencës së 16-të të Unionit Parlamentar të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (PUIC). I pranishëm ishte edhe kryetari i Parlamentit turk, Mustafa Sentop. "Fuqitë e mëdha duhet të mësojnë se nuk duhet të imponojnë vullnetin e tyre mbi vendet e tjera dhe se një marrëveshje është e arritshme nëse ato pranojnë të respektojnë interesat e të tjerëve," tha Ghalibaf. Kryeparlamentari i Iranit theksoi rëndësinë e përmirësimit të lidhjeve ekonomike Teheran-Ankara, duke thënë se të dy palët po finalizojnë një dokument gjithëpërfshirës mbi bashkëpunimin, i cili tregon vendosmërinë e tyre për të rritur marrëdhëniet. Ai shtoi se Teherani mbështet një mekanizëm bashkëpunimi në formatin 3+3 – që përfshin tre vendet e Kaukazit Jugor, Armeninë, Gjeorgjinë dhe Azerbajxhanin plus Rusinë, Turqinë dhe Iranin. "Të gjitha vendet në Kaukaz duhet të kenë marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin. Kjo çështje e rëndësishme mund të kontribuojë në zhvillimin e rajonit," theksoi Mohammad Baker Ghalibaf. Presidenti turk, nga ana e tij, tha se shpreson se bisedimet e Vjenës do të arrijnë rezultate të drejta që synojnë zbatimin e marrëveshjes bërthamore. Erdogan tha se pavarësisht pandemisë së COVID-19, Irani dhe Turqia kanë arritur të promovojnë bashkëpunimin ekonomik, duke shtuar se të dy vendet duhet të punojnë më shumë për të përmirësuar më tej lidhjet. Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në Afganistan, ai u bëri thirrje organeve ndërkombëtare që të ndihmojnë Iranin për të kapërcyer krizën e refugjatëve afganë, të cilët janë larguar nga vendi i tyre pas pushtimit të talebanëve. Erdogan shprehu shpresën për të vizituar Teheranin në të ardhmen e afërt.