Vjenë, fillon raundi i tetë i bisedimeve mes Iranit dhe G4+1
Irani dhe pesë nënshkruesit e mbetur të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 kanë nisur një raund të ri bisedimesh në kryeqytetin austriak Vjenë, të fokusuar në heqjen e të gjitha sanksioneve të vendosura ndaj Teheranit pas tërheqjes së njëanshme të Uashingtonit nga marrëveshja.
Përfaqësuesit e Iranit dhe të grupit të vendeve G4+1 filluan raundin e tetë të bisedimeve të Vjenës të hënën në mbrëmje pas raundit të mëparshëm. Takimi mbahet në nivel të zv/ ministrave të jashtëm dhe drejtorëve të çështjeve politike të Iranit dhe Grupit 4 + 1, i cili përfshin Kinën, Rusinë, Gjermaninë, Francën dhe Britaninë e Madhe. Samiti kryesohet nga negociatori kryesor i Iranit Ali Bagheri Kani dhe Zëvendësshefi për politikën e jashtme të Bashkimit Evropian Enrique Mora. I pyetur nëse është optimist për rezultatin e bisedimeve, kryenegociatori i Iranit Ali Bagheri Kani, i cili gjithashtu shërben si zëvendësministër i jashtëm për çështjet politike, tha: “Po të mos ishim optimistë për rezultatin, nuk do të kishim ardhur në Vjenë. ” Bagheri Kani ka mbërritur në Vjenë sot në mëngjes dhe zhvilloi një sërë takimesh dypalëshe dhe shumëpalëshe me negociatorët e lartë të G4 + 1 përpara fillimit të takimit. Më herët, Bashkimi Evropian tha në një deklaratë se Komisioni i Përbashkët i marrëveshjes bërthamore pritet të fokusohet në mënyrat për heqjen e sanksioneve të paligjshme të SHBA-së ndaj Iranit. Ministri i Jashtëm i Iranit Hossein Amir-Abdollahian tha gjithashtu më herët të hënën se çështjet e garancive dhe verifikimit të heqjes së sanksioneve janë pikat kryesore të diskutimeve të reja.