Vazhdojnë bisedimet mes Iranit dhe G4+1
Irani dhe nënshkruesit e mbetur të marrëveshjes së vitit 2015 po vazhdojnë përpjekjet e tyre diplomatike në kryeqytetin austriak Vjenë me qëllim sigurimin e heqjes së sanksioneve të Shteteve të Bashkuara ndaj Teheranit dhe ringjalljen e marrëveshjes që u braktis nga Uashingtoni.
Negociatorët kryesorë të Iranit dhe pesë palëve në marrëveshjen bërthamore, në pjesën e dytë të raundit të tetë të negociatave të Vjenës mbajtën takime dypalëshe. Ambasadori rus në organizatat ndërkombëtare në Vjenë, Mikhail Ulyanov, në një postim në Twitter tha se ai u takua të martën me kryenegociatorin iranian Ali Bagheri Kani. “Ne diskutuam çështjet kryesore të pazgjidhura që duhet të zgjidhen në rrjedhën e negociatave të Vjenës”, tha diplomati i lartë rus. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Said Khatibzadeh tha gjithashtu se palët perëndimore në marrëveshjen bërthamore e kanë kuptuar se duhet të tërhiqen nga "kërkesat e tyre maksimaliste" gjatë negociatave në vazhdim. Teherani ka këmbëngulur me vendosmëri se SHBA duhet së pari të heqë sanksionet në një mënyrë të verifikueshme, të japë garanci se nuk do të largohet më nga marrëveshja dhe të kompensojë të gjitha dëmet e shkaktuara Iranit për shkak të tërheqjes së paligjshme të Amerikës nga marrëveshja bërthamore.