SHBA kërkon negociata të drejtpërdrejta me Iranin, Teherani skeptik
Një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit ka kërkuar negociata të drejtpërdrejta me Iranin mbi ringjalljen e marrëveshjes së vitit 2015, duke thënë se qëndrimi i SHBA-së se nuk ka shumë kohë për të arritur një marrëveshje, nuk është as kërcënim ndaj Iranit, as një afat apo ultimatum artificial.
Në një konferencë shtypi të martën, zyrtari amerikan i paidentifikuar tha se bisedimet e drejtpërdrejta midis Teheranit dhe Uashingtonit përmes procesit të Vjenës do të ishin mënyra optimale për të arritur një marrëveshje për të rivendosur marrëveshjen. "Nëse qëllimi ynë është të arrijmë një mirëkuptim shpejt... mënyra optimale për ta bërë këtë, në çdo negociatë, është që palët që kanë më shumë interes të takohen drejtpërdrejt," tha zyrtari amerikan, duke iu referuar Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. “Nëse Irani nuk dëshiron të flasë me ne, ky është sigurisht vendimi i tyre”, tha zyrtari i lartë amerikan, duke shtuar megjithatë se do të ishte “thellësisht për të ardhur keq” nëse të dyja palët nuk do të kishin bisedime të drejtpërdrejta. “Pak kohë ka mbetur, duke pasur parasysh se sa kritike janë vendimet që duhet të merren.” Irani nuk e ka lejuar delegacionin amerikan të ulet në tryezën e bisedimeve në Vjenë, për shkak se SHBA nuk është palë e marrëveshjes bërthamore, nga e cila u largua në vitin 2018. Teherani ka deklaruar se nuk dëshiron asnjë kontakt të drejtpërdrejtë me delegacionin e SHBA derisa Uashingtoni të mos heqë sanksionet e njëanshme e paligjshme të vendosura ndaj Iranit.