Ministri i Jashtëm iranian: Irani kundërshton çdo luftë kudo në botë
https://parstoday.ir/sq/news/iran-i126862-ministri_i_jashtëm_iranian_irani_kundërshton_çdo_luftë_kudo_në_botë
Ministri i Jashtëm i Iranit Hossein Amir-Abdollahian deklaroi se Republika Islamike është kundër luftës kudo në botë, duke nënvizuar diplomacinë si rrugën e vetme për të dalë nga kriza në Ukrainë.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
May 08, 2022 19:14 Europe/Tirane
  • Ministri i Jashtëm iranian: Irani kundërshton çdo luftë kudo në botë

Ministri i Jashtëm i Iranit Hossein Amir-Abdollahian deklaroi se Republika Islamike është kundër luftës kudo në botë, duke nënvizuar diplomacinë si rrugën e vetme për të dalë nga kriza në Ukrainë.

“Ne e kundërshtojmë luftën në Ukrainë, siç bëjmë në Jemen, Afganistan, Siri, Irak apo në çdo vend tjetër kudo në botë”. Ministri i Jashtëm iranian e bëri këtë deklaratë të dielën gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij polak, Zbigniew Rau, në Teheran. “Ne besojmë se kriza në Ukrainë do të zgjidhet politikisht”, tha Amir-Abdollahian. Negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës, shtoi ai, duhet të çojnë në një armëpushim të menjëhershëm. Ministri i Jashtëm iranian tha se Teherani ishte i gatshëm të punonte për një armëpushim që do të kontribuonte për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në mbarë botën. Më tej, gjatë konferencës për shtyp, Amir-Abdollahian tha se Teherani dhe Varshava ranë dakord për rritjen e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, duke përfshirë energjinë, shkencën dhe teknologjinë, industrinë e automobilave, mjekësinë bërthamore dhe shkëmbimin e studentëve. Ministri i Jashtëm polak Zbigniew Rau, nga ana e tij, tha se promovimi i marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike me Iranin është ndër prioritetet e Polonisë pasi të përfundojnë bisedimet e Vjenës për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. “Arritja e një marrëveshjeje për të rritur bashkëpunimin kulturor është hapi i parë; ne do të përpiqemi të forcojmë lidhjet tregtare pasi besojmë se Irani ka një potencial të madh për këtë qëllim”, tha ministri i jashtëm polak.