Objektivat e vizitës së Mustafa Al-Kadhimit në Teheran
(last modified Sun, 26 Jun 2022 18:54:32 GMT )
Qershor 26, 2022 20:54 Europe/Tirane
  • Objektivat e vizitës së Mustafa Al-Kadhimit në Teheran

Kryeministri i Irakut Mustafa al-Kadhimi mbërriti në Teheran më 26 qershor pas takimit me zyrtarët sauditë në Xheddah dhe u mirëprit nga Presidenti iranian Sejed Ibrahim Raisi.

Pas inaugurimit të qeverisë së Sejed Ibrahim Raisit, Mustafa Al-Kadhimi ishte kreu i parë i një qeverie të huaj që u takua me kreun e qeverisë së 13-të të Iranit gjatë vizitës së tij në Teheran. Ky udhëtim u zhvillua në shtator 2021. Tani, 9 muaj pas atij udhëtimi, Mustafa Al-Kadhimi udhëtoi sërish për në Teheran dhe u takua me Presidentin Raisi. Edhe pse ka disa çështje dypalëshe në bisedimet mes dy krerëve të shteteve, ky udhëtim duket se ka synime më të rëndësishme. Disa burime thanë se në fushën e çështjeve dypalëshe, çështja e importit të gazit nga Irani, çështja e ujit dhe çështje të tjera që lidhen me ekonominë irakiane, si dhe çështja e pelegrinazheve të popullit iranian në vendet e shenjta në Irak janë ndër çështjet kryesore  në axhendën e takimit mes Raisit dhe Al-Kadhimit. Lidhur me këtë, në një konferencë të përbashkët për shtyp të dy krerëve të shteteve, Presidenti iranian tha se “gjatë këtij takimi, ne diskutuam për marrëdhëniet tregtare, politike dhe ekonomike në mes dy vendeve dhe vendosëm të forcojmë lidhjet ekonomike. Ne diskutuam lidhjen hekurudhore midis qytetit Shalamcheh në Iran dhe Basra në Irak, çka mund të luajë një rol të madh në lehtësimin e tregtisë midis dy vendeve. Ne diskutuam gjithashtu lehtësimin e marrëdhënieve monetare dhe bankare midis Iranit dhe Irakut”. Me gjithë theksimin e palëve për zgjerimin e marrëdhënieve, vizita e Al-Kadhimit në Teheran duket se lidhet me tre çështje të tjera. Çështja e parë janë marrëdhëniet midis Arabisë Saudite dhe Republikës Islamike të Iranit. Marrëdhëniet Iran-Arabi Saudite janë ndërprerë që nga viti 2016. Gjatë vitit të kaluar, Iraku ka pritur bisedime midis zyrtarëve të dy vendeve për të rivendosur marrëdhëniet, me pesë raunde bisedimesh deri më sot dhe të dy palët janë në prag të arritjes së një marrëveshjeje. Al-Kadhimi udhëtoi dje për në Xheddah, për t'u takuar me princin e kurorës saudite, Mohammed bin Salman, përpara se të udhëtonte për në Teheran. Rrjedhimisht, ndërmjetësimi ndërmjet Teheranit dhe Riadit duket të jetë një nga qëllimet kryesore të vizitës së Al-Kadhimit në Teheran. Në lidhje me këtë, Rrjeti Al-Mayadin deklaroi se fokusi kryesor i vizitave të Al-Kadhimit në Riad dhe Teheran është ndërmjetësimi i marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Arabisë Saudite dhe Iranit. Qëllimi kryesor i Al-Kadhimit në ndërmjetësimin midis Iranit dhe Arabisë Saudite është të rrisë peshën e qeverisë irakiane në rajonin e Azisë Perëndimore dhe ta vendos Irakun në të njëjtin nivel me fuqitë e moderuara por me ndikim si Katari, Omani dhe Kuvajti. Një çështje tjetër është se vizita e al-Kadhimit në Teheran u bë pas largimit të lëvizjes Sadr nga parlamenti i Irakut. Me këtë dorëheqje, parlamenti i Irakut do të pësojë ndryshime të rëndësishme në përbërjen e përfaqësuesve të rrymave politike shiite. Al-Kadhimi po kërkon mbështetjen e Iranit dhe Arabisë Saudite, dy fuqive me ndikim rajonal, për të qëndruar si kryeministër i Irakut. Së fundi, vizita e Al-Kadhimit në Xheddah dhe Teheran u bë në prag të vizitës së presidentit amerikan Joe Biden në Arabinë Saudite. Ekziston mundësia që Mustafa al-Kadhimi të marrë pjesë në takimin që është planifikuar të zhvillohet në mesin e muajit të ardhshëm me Biden në Xheddah. Prandaj, kryeministri irakian mund t'i përcjellë presidentit amerikan një mesazh nga Riadi dhe Teherani.

 

Tags