Rusia ka nevojë për bashkëpunimin e Iranit
Tre javë më parë, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov udhëtoi në Turqi në krye të një delegacioni të madh.
Zyrtarisht, fokusi i diskutimit ishte kalimi në Detit të Zi, në mënyrë që gruri ukrainas të mund të arrinte në Turqi dhe më pas në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, duke reduktuar kështu mungesën globale të grurit dhe rrezikun e urisë në Afrikë. Një rrugë e tillë do të kërkonte shoqërim ushtarak dhe mbikëqyrje për të parandaluar transferimet e armëve, si dhe marrëveshje të pranueshme pagese, por një marrëveshje e tillë, e cila do të sillte gjithashtu përfitime ekonomike dhe politike për Turqinë, kushtëzohej me pranimin nga Ankaraja të kërkesës së Moskës për të mos sulmuar Sirinë dhe për të mos zgjeruar "zonën e saj të sigurt" në rajonin e Kurdistanit të Irakut. “Kjo është një çështje ku ndeshen interesat e Rusisë, Iranit dhe Amerikës. Tani kompanitë ruse duhet të vendosin se si të veprojnë dhe nëse do t'i mbajnë asetet e tyre në rajonin e Kurdistanit”, shkruan gazeta izraelite Haaretz. Rusia gjithashtu duhet të mbështetet më shumë tek Irani për të shmangur sanksionet ndërkombëtare. Lavrov, ndërmjet udhëtimeve të shpeshta në Lindjen e Mesme, vizitoi Teheranin javën e kaluar për të krijuar një sistem bashkëpunimi ekonomik për të importuar mallra iraniane në Rusi dhe për të eksportuar mallra ruse në Indi nëpërmjet Iranit. “Rusia ka importuar gjithashtu një gamë të pajisjeve elektronike nga Irani, duke përfshirë pajisje të prodhuara nga SHBA, kompjuterë dhe celularë, të cilët me sa duket mbërrijnë në Iran nëpërmjet vendeve të Gjirit Persik”, thuhet në raportin e Haaretz. Sipas burimeve iraniane, biznesmenët rusë po mësojnë nga homologët e tyre iranianë se si t'i anashkalojnë sanksionet dhe të përdorin metoda pagese jo bankare. Tregtia midis Rusisë dhe Iranit aktualisht tejkalon 5 miliardë dollarë në vit, por të dy vendet kanë nënshkruar marrëveshje afatgjata që përfshijnë angazhimet e Rusisë për të investuar miliarda dollarë në Iran. Ato përfshijnë gjithashtu shitjen e armëve të avancuara ruse në Iran, duke përfshirë sistemet e radarëve S-400 dhe avionët luftarakë Sukoi-35. Përveç kësaj, Rusia dhe Irani synojnë të hapin një rrugë për të zëvendësuar atë tradicionalen që shkon nga Rusia në Indi duke kaluar Detin Baltik në ngushticën e Gjibraltarit, pastaj në Detin Mesdhe nëpërmjet Kanalit të Suezit. Rruga e re arrin Iranin dhe Detin Kaspik nga Turkmenistani jugor, pastaj vazhdon përmes Iranit në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe prej andej me anije në Indi. Kjo ul kostot e transportit me 30% dhe përgjysmon kohën e transportit. "Rezultati i të gjitha sa u tha më sipër është se Rusia, e cila dikur ishte një fuqi e madhe dhe mund të diktonte ose të paktën të ndikonte në politikën e Iranit, tani është bërë e varur nga bashkëpunimi i Iranit," vëren Haaretz. “Në të vërtetë, rruga e re e eksportit pritet të reduktojë transportin përmes Kanalit të Suezit dhe, për rrjedhojë, të reduktojë të ardhurat për Egjiptin; por në kontekstin ku Rusia është nën sanksione të rënda ndërkombëtare, Lindja e Mesme Arabe, kryesisht pro-amerikane, nuk është shumë tërheqëse për Moskën”, përfundon gazeta.