Amir-Abdollahian: ANEA të distancohet nga qasja politike
Ministri i Jashtëm iranian këshilloi Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, duke i kërkuar asaj t'i përmbahet "detyrës së saj teknike" dhe të heqë dorë nga "qasja politike" ndaj Iranit.
Hossein Amir-Abdollahian pas takimit të zhvilluar të mërkurën në Moskë me homologun e tij rus Sergej Lavrov, duke iu referuar qasjeve jokonstruktive dhe të motivuara politikisht të ANEA nda Iranit, theksoi: "Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike duhet të distancohet nga qasja e saj politike dhe të përqendrohet vetëm në detyrat e saj teknike". Shefi i aparatit diplomatik të Iranit deklaroi: "Nuk është e pranueshme për Iranin që pasi të gjitha palët të kthehen në marrëveshjen bërthamore, të përsëriten disa pretendime dhe akuza politike të pabaza të ANEA-së kundër Republikës Islamike të Iranit". Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (ANEA) ka akuzuar Iranin për mosbashkëpunim, një akuzë që Teherani e ka hedhur poshtë me forcë duke e konsideruar si "të pabazë". Irani në disa raste i ka kujtuar agjencisë detyrat e saj teknike, duke e paralajmëruar atë që të mos veprojë nën ndikimin e presioneve të regjimit izraelit. Të martën, zëdhënësi i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit (AEOI) i përshkroi kërkesat e ANEA si "të tepërta", duke thënë se ato nuk mund të zbatohen për shkak të sanksioneve. “Ne i konsiderojmë të tepërta kërkesat e ANEA, sepse zbatimi i tyre është i pamundur për shkak të sanksioneve”, tha Behruz Kamalvandi. Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian vuri në dukje se Teherani do të informojë koordinatorin e Bashkimit Evropian për bisedimet bërthamore në lidhje me qëndrimin e Iranit mbi përgjigjen amerikane pasi "të kemi përfunduar shqyrtimin tonë" të tekstit.Ai tha:"Ne kemi marrë tekstin e fundit të palës amerikane dhe kolegët e mi po studiojnë përgjigjen me kujdesin dhe shpejtësinë e duhur", por megjithatë, pohoi se në lidhje me çështjen e garancisë, Teherani ka nevojë për "tekst më të fortë dhe garanci më të forta".