Protesta apo trazira; Prioriteti i ligjit në kryerjen e protestës
https://parstoday.ir/sq/news/iran-i132782-protesta_apo_trazira_prioriteti_i_ligjit_në_kryerjen_e_protestës
Në dy javët e fundit, pas trazirave në disa qytete të Iranit, të cilat vazhduan kryesisht me nxitjen e armiqve dhe shkaktuan humbje njerëzore dhe financiare në vend, sërish ka marrë rëndësi serioze nevoja për t'i kushtuar vëmendje respektimit të ligjit gjatë protestave.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Tetor 03, 2022 16:51 Europe/Tirane
  • Protesta apo trazira; Prioriteti i ligjit në kryerjen e protestës

Në dy javët e fundit, pas trazirave në disa qytete të Iranit, të cilat vazhduan kryesisht me nxitjen e armiqve dhe shkaktuan humbje njerëzore dhe financiare në vend, sërish ka marrë rëndësi serioze nevoja për t'i kushtuar vëmendje respektimit të ligjit gjatë protestave.

Në nenin 27 të Kushtetutës së Republikës Islamike të Iranit thuhet: “Organizimi i tubimeve dhe protestave pa armëmbajtje është i lirë, përderisa nuk cenon parimet e Islamit”. Gjithashtu, pika 2, neni 6 i ligjit të partive përcakton se “organizimi i protestave dhe marshimeve pa armëmbajtje, me njoftimin e Ministrisë së Brendshme  është i lirë nëse nuk cenon parimet islame, ndërsa sipas mendimit të Komisionit të nenit 10, organizimi i tubimeve në sheshe dhe parqe publike, me lejen e Ministrisë së Brendshme  është i lirë. Nisur nga kjo, gjatë viteve të kaluara janë mbajtur shumë tubime sindikaliste para institucionit Presidencial apo Parlamentit Islamik të Iranit dhe tubuesit kanë ngritur kërkesat dhe kritikat e tyre sindikaliste pa u shndërruar në kaos. Zhvillimet e dy javëve të fundit kanë vijuar jashtë kuadrit ligjor. Këto trazira filluan me pretekstin e protestës për vdekjen e një vajze iraniane. Armiqtë, mercenarët dhe terroristët e lidhur me ta e konsideruan situatën aktuale si një mundësi për të krijuar trazira, separatizëm dhe përçarje në shoqëri dhe u përpoqën të përçajnë etnitë e ndryshme dhe shtresat e popullit t'i vënë përballë sistemit. Në të njëjtën kohë, rasti i kësaj vajze iraniane është duke u hetuar nga autoritetet kompetente dhe rezultati do të bëhet i ditur në ditët në vijim. Prandaj, veprimet që çuan në martirizimin e një numri të forcave të rendit dhe të sigurisë dhe shkatërrimin e pronës publike e private, apo parullat destruktive dhe ofendimet ndaj vlerave të shenjta islame që kanë ndodhur ditët e fundit, nuk përshtaten me kornizën ligjore dhe nuk mund të quhen protesta. Edhe në vendet që pretendojnë lirinë e fjalës dhe demokracinë, sjellje të tilla trajtohen me ashpërsi. Për shembull, më 25 shtator, kur vandalët në Britaninë e Madhe dhe Francë, nën pretekstin e protestës dhe kundërshtimit të Republikës Islamike të Iranit, po planifikonin të sulmonin objektet diplomatike të Iranit në Londër dhe Paris, ata u përballën me reagimin e forcave  të rendit dhe një numër prej tyre u arrestuan. Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës Islamike të Iranit, Sejed Ebrahim Raisi, ka sqaruar ngjarjet e fundit duke thënë se duhet përcaktuar kufiri mes protestës dhe trazirave. Ai theksoi: "Nganjëherë, ka protesta, kritika dhe fjalë kundërshtuese dhe kjo nuk përbën asnjë problem dhe ato duhen dëgjuar, sepse kjo do të ndihmojë në përmirësimin e punëve, por prishja e sigurisë së vendit dhe cenimi i pronave dhe jetës së njerëzve nuk është i pranueshëm askund në botë". Prandaj, në Republikën Islamike të Iranit, ekziston një bazë ligjore për protestat dhe kritikat e njerëzve dhe nëse njerëzit kritikojnë metodat mbizotëruese në shoqëri dhe politikat e qeverisë, ata mund të shprehin kundërshtimin e tyre dhe madje të paraqesin propozimin e tyre për të modifikuar metodat. Krahas kësaj, aktualisht në Parlamentin Islamik të Iranit po shqyrtohet një projekt, qëllimi i të cilit është krijimi i një platforme të përshtatshme për shprehjen e kundërshtimeve të qytetarëve për çështje të ndryshme në vend, në bazë të të cilave , do të sigurohen kushtet dhe mundësia e kritikës dhe protestës në më shumë korniza ligjore.