Amir Abdulahjan paralajmëron Bashkimin Evropian
Ministri i punëve të jashtme të Iranit në një bisedë telefonike me homologun e tij italian, deklaroi: "Nëse Bashkimi Evropian dëshiron të ndërmarrë ndonjë veprim të nxituar dhe të pamenduar me një qëndrim të dyfishtë, duhet të presë veprimet efektive dhe reciproke të Iranit".
Ministri i punëve të jashtme të Italisë, Luigi Di Maio ka zhvilluar sot (e mërkurë) një bisedë telefonike me ministrin e punëve të jashtme të Iranit, Husejn Amirabdulahjan. Në këtë bashkëbisedim u diskutuan dhe u shqyrtuan zhvillimet e fundit në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe, negociatat për heqjen e sanksioneve, ngjarjet e fundit në Iran dhe keqpërdorimi i protestave të qytetarëve nga elementët destruktiv dhe faktorët ndërhyrës të huaj në zhvillimet e brendshme të Iranit.
Ndërhyrjet e një sërë shtetesh evropiane lidhur me zhvillimet e brendshme në Iran këto ditë sollën reagimin e Republikës Islamike të Iranit dhe në Ministrinë e Jashtme të Iranit u thirrën ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike të Suedisë, Francës, Norvegjisë, por edhe të Mbretërisë së Bashkuar të cilëve iu dorëzua një notë proteste serioze e Iranit për qeveritë e këtyre vendeve.
Sipas agjencisë së lajmeve Fars, Amir Abdulahjan në këtë bisedë telefonike, deklaroi: "Republika Islamike e Iranit, me besim praktik në demokraci, gjithmonë i ka kushtuar vëmendje kërkesave paqësore të popullit iranian".
Ministri i jashtëm i Iranit shtoi: "Në ngjarjet e fundit, faktorët ndërhyrës të huaj, elementë të organizuar dhe terroristë i kanë keqpërdorur tubimet paqësore të qytetarëve dhe i kanë çuar ato drejt dhunës, kaosit dhe vrasjes së njerëzve të pafajshëm dhe pjesëtarëve të policisë dhe forcave të sigurisë".
Ministri i jashtëm i Iranit theksoi: "Nuk jemi të kënaqur me qëndrimet dhe ndërhyrjet e disa zyrtarëve evropianë në ngjarjet e fundit dhe nëse Bashkimi Evropian dëshiron të ndërmarrë ndonjë veprim të nxituar dhe të pamenduar me sjellje të dyfishtë ndaj Iranit, duhet të presë veprimin efektiv dhe reciprok nga ana e Republikës Islamike të Iranit".
Në këtë bisedë telefonike me homologun e tij iranian, ministri i jashtëm italian tha: "Ne i kushtojmë rëndësi marrëdhënies me Republikën Islamike dhe mbështesim fuqimisht përpjekjet e Iranit për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme rreth marrëveshjes bërthamore". Luigi Di Maio gjithashtu deklaroi: "Ne respektojmë sovranitetin dhe ligjet e Republikës Islamike të Iranit dhe përgjigjja ndaj kërkesave paqësore të qytetarëve është e ndarë nga trazirat dhe veprimet e dhunshme".