Mokhber: Deti Kaspik është trashëgimi e përbashkët e vendeve bregdetare
(last modified Thu, 06 Oct 2022 14:43:36 GMT )
Tetor 06, 2022 16:43 Europe/Tirane
  • Mokhber: Deti Kaspik është trashëgimi e përbashkët e vendeve bregdetare

Nënpresidenti i parë i Republikës Islamike të Iranit deklaroi se konventa për mbrojtjen e mjedisit të Detit Kaspik e njohur si “Konventa e Teheranit”, është një kornizë ligjore e përshtatshme për ruajtjen e mjedisit të këtij deti nga vendet bregdetare të Kaspikut.

Sipas agjencisë së lajmeve Iran Press, Muhamed Mokhber, nënpresidenti i parë i Republikës Islamike të Iranit, të enjten në Forumin e dytë Ekonomik të Kaspikut që po zhvillohet në Moskë, deklaroi se Deti Kaspik është trashëgimi e përbashkët e vendeve bregdetare dhe kjo trashëgimi duhet të ruhet për brezat e ardhshëm. 
Mokhber theksoi se fatkeqësisht vitet e fundit niveli i ujit të Detit Kaspik është ulur dhe procesi i shkatërrimit të mjedisit të tij është rritur dhe vendet bregdetare duhet të angazhohen në zbatimin e zotimeve të tyre në kuadër të Konventës së Teheranit në mënyrë që të shfrytëzojnë resurset e këtij deti sa më gjatë.
Nënpresidenti i parë i Republikës Islamike të Iranit gjithashtu tha se Republika Islamike e Iranit është e vendosur të krijojë dinamizëm në bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar të vendeve bregdetare të Detit Kaspik.
Në Forumin e Dytë Ekonomik të Kaspikut në Moskë, Muhamed Mokhber propozoi të formulohet dhe zbatohet një direktivë e veçantë në kuadër të zhvillimit të bashkëpunimit monetar, bankar dhe financiar me vendet bregdetare të Kaspikut.
Nënpresidenti i parë i Republikës Islamike të Iranit propozoi gjithashtu formimin e një komiteti për bashkëpunim në fushën e naftës, gazit dhe produkteve të naftës të vendeve rreth Detit Kaspik.
Takimi i dytë dy-ditor i Forumit Ekonomik të Kaspikut po zhvillohet në Moskë të mërkurën dhe të enjten (5 dhe 6 tetor) me praninë e Muhamed Mokhber, zëvendëspresidentit të parë të Republikës Islamike të Iranit, dhe kryeministrave të të katërt vendeve të tjera bregdetare të Kaspikut: Turkmenistani, Azerbajxhani, Kazakistani dhe Rusia.

Tags