Zëvendëspresidenti i Parë i Iranit takohet me kryeministrin e Rusisë
(last modified Thu, 06 Oct 2022 18:55:30 GMT )
Tetor 06, 2022 20:55 Europe/Tirane
  • Zëvendëspresidenti i Parë i Iranit takohet me kryeministrin e Rusisë

Zëvendëspresidenti i Parë i Iranit, Mohammad Mokhber, u ka bërë thirrje shteteve bregdetare të Kaspikut të krijojnë një komitet bashkëpunimi për naftën dhe gazin. Mokhber e shpalosi idenë gjatë takimit të dytë të forumit ekonomik të Kaspikut në Moskë.

Zyrtari iranian tha se Deti Kaspik është një trashëgimi e përbashkët dhe një qendër lidhjeje midis shteteve të tij bregdetare. Ai tha se vendet në kufi me detin Kaspik duhet të zgjerojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme. Forumi i nisur në vitin 2018 ka për qëllim të veprojë si një platformë për të diskutuar bashkëpunimin ekonomik, transportin dhe sigurinë në rajon. Përfaqësues nga Rusia, Turkmenistani, Kazakistani, Azerbajxhani dhe Irani po marrin pjesë në këtë samit. Duke folur me gazetarët përpara se të nisej nga Teherani për në Moskë, Mokhber tha se shtetet bregdetare të Detit Kaspik janë të vendosur të zhvillojnë marrëdhëniet e tyre. Ai tha se zhvillimi i marrëdhënieve me shtetet fqinje është një nga strategjitë e qeverisë iraniane. Mokhber ndodhet në Moskë me ftesë zyrtare të kryeministrit rus Mikhail Mishustin. Në takimin e tyre të enjten, Mishustin tha se krijimi i kushteve komode bilaterale të biznesit midis Rusisë dhe Iranit në mes sanksioneve është një "rrugë me dy drejtime". "Ne mirëpresim vendimin e palës iraniane për të ofruar kushte komode për biznesin rus. Për shkak të tërheqjes së kompanive të shteteve jomiqësore nga Rusia, në tregun tonë janë liruar një numër i madh zonash që partnerët tanë iranianë do të mund t'i mbulojnë. Kështu që është një rrugë me dy drejtime dhe ata janë të mirëpritur në Rusi”, tha Mishustin. Mokhber tha se Irani dhe Rusia kanë marrëdhënie të mira dhe në rritje dhe vullneti i të dy vendeve për të forcuar marrëdhëniet është plotësisht serioz. Ai përmendi takimin e menaxherëve të kompanive të mëdha ruse me delegacionin iranian të mërkurën mbrëma, duke thënë se ata kishin diskutuar për investimet në fushat e naftës, si dhe në sektorin bujqësor, financiar, bankar dhe të transportit dhe vendosën të hartojnë një plan kohor për zbatimin e tyre. Mokhber preku gjithashtu urdhrin e presidentit iranian Ebrahim Raisi për të përshpejtuar zhvillimin e marrëdhënieve me Rusinë, duke thënë se mesazhi për armiqtë është se "sanksionet nuk mund të pengojnë zbatimin e planeve tona".

 

Tags