Nesër mbahet Konferenca e 36-të Ndërkombëtare e Unitetit Islamik
(last modified Sat, 08 Oct 2022 17:58:57 GMT )
Tetor 08, 2022 19:58 Europe/Tirane
  • Nesër mbahet Konferenca e 36-të Ndërkombëtare e Unitetit Islamik

Konferenca e 36-të Ndërkombëtare e Unitetit Islamik do të mbahet nesër (të dielën) në Teheran me praninë e dijetarëve, studiuesve dhe mendimtarëve nga e gjithë bota.

Nesër (e dielë), 12 Rabiul-Evvel i vitit 1444 hixhri, përkon me 9 tetor 2022, që është ditëlindja e Hazretit Muhamed Mustafa (s.a.v.s.), Profeti i Nderuar i Islamit dhe fillimi i Javës së Unitetit.  Myslimanët sunitë e konsiderojnë datën 12 të Rabiul Evvelit, ndërsa myslimanët shi'itë datën 17 të këtij muaji si ditëlindjen e Profetit të Islamit (s.a.v.s.). Imam Khomeini (r.a.), themeluesi i madh i Republikës Islamike të Iranit, i cili ishte një nga iniciatorët e unitetit në botën islame, e përdori këtë çështje për të bashkuar dhe afruar grupet islame dhe e quajti intervalin ndërmjet këtyre dy datave si "Javën e Unitetit". Sipas Agjencisë së Lajmeve Mehr, Konferenca e 36-të Ndërkombëtare për Unitetin Islamik do të mbahet për pesë ditë nga data 9 deri më 14 tetor, nën kujdesin e Forumit Botëror për Përafrimin e Medh'hebeve Islame, me praninë e studiuesve dhe mendimtarëve nga e gjithë bota. Vëllazëria islame dhe lufta kundër terrorizmit, liria e mendimit fetar, pranimi i ixhtihadit fetar, përballja me tekfirin dhe ekstremizmin, respekti i ndërsjellë ndërmjet shkollave islame, shmangia e tensioneve dhe konflikteve dhe kundërshtimi i normalizimit  të marrëdhënieve me regjimin okupator sionist do të jenë temat kryesore që do të trajtohen në Konferencën Ndërkombëtare për Unitetin Islam. Qëllimi i mbajtjes së Konferencës Ndërkombëtare për Unitetin Islam është krijimi i unitetit dhe solidaritetit mes myslimanëve, konsensusi i dijetarëve dhe shkencëtarëve për të përafruar pikëpamjet e tyre shkencore dhe kulturore, si dhe ofrimi i zgjidhjeve praktike për arritjen e unitetit islam dhe për problemet e myslimanëve.