Platformat amerikane kufizojnë publikimin e përmbajtjes dhe programeve iraniane
Ministria e Telekomunikacionit dhe Teknologjisë së Informacionit të Iranit ka deklaruar se platformat amerikane kanë kufizuar në përmasa të gjera përmbajtjen dhe programet iraniane.
Agjencia e lajmeve IRIB njoftoi se Ministria e Telekomunikacionit dhe Teknologjisë së Informacionit të Iranit me anë të një njoftimi për publikun, ka deklaruar: "Heqja e materialeve dhe hashtagëve në lidhje me viktimat e sulmit terrorist në mauzoleun "Shah Çaragh" të Shirazit në platformat amerikane dhe nga ana tjetër lejimi i publikimit, madje edhe përhapja sa më shumë e video-klipave për provokimin dhe nxitjen e dhunës në mënyrë të hapur, zbulon një nivel të ri të standardeve të dyanshme të platformave amerikane në interpretimin e lirisë së shprehjes dhe të të drejtave të njeriut".
Në këtë njoftim thuhet: "Platforma e Google Play që i përket kompanisë Google duke keqpërdorur pozitën e monopolit të saj në celularët Android dhe pa informim paraprak, me anë të një veprimi jashtë normave, ka filluar një proces të gjerë për kufizimin e disa programeve dhe platformave iraniane me përdorim të lartë me pretekst të mbrojtjes së privatësisë së përdoruesve. Ky veprim i papërgjegjshëm po kryhet në kohën kur sipas hulumtimeve dhe analizave të kësaj Ministrie, programet e lartpërmendura nuk kanë marrë kurrfarë paralajmërimi të mëparshëm nga ana e Google dhe pavarësisht se kemi deklaruar me njëherë kundërshtimin tonë ndaj këtij veprimi të papërgjegjshëm, deri më tani nuk kemi marrë kurrfarë përgjigje nga ana e Google".