Sulltani i Omanit shpreson të vizitojë Iranin në të ardhmen e afërt
Sulltani i Omanit, në përgjigje të ftesës së presidentit të Republikës Islamike të Iranit, u shpreh optimist për të vizituar Iranin në të ardhmen e afërt.
Zyra për informim e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit njoftoi se Husejn Amir Abdulahjan, ministri i punëve të jashtme të Iranit, i cili mbërriti në Maskat të martën mbrëma në krye të një delegacioni të lartë shtetëror për t'u takuar dhe biseduar me autoritetet e Omanit, sot u takua me sulltanin e Omanit, Haitham Bin Tarik dhe i dorëzoi atij një mesazh të Sejed Ebrahim Raisi, presidentit të Republikës Islamike të Iranit.
Në një mesazh drejtuar Sulltanit të Omanit, presidenti i Republikës Islamike të Iranit e ftoi atë të vizitojë Republikën Islamike të Iranit.
Pas mbërritjes së tij në Maskat, ministri i jashtëm i Iranit, Husejn Amir Abdulahjan tha se ai po përcillte një mesazh nga presidenti i Republikës Islamike të Iranit për sulltanin e Omanit dhe se do të bisedojë me sulltanin e Omanit për disa nga çështjet e theksuara nga president i Iranit.
Duke rikujtuar arritjet e vizitës së presidentit të Republikës Islamike të Iranit në Oman, Amir Abdulahjan theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura gjatë asaj vizite.
Amir Abdulahjan gjithashtu theksoi zhvillimin e gjithanshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet Iranit dhe Omanit në fushën e tregtisë, ekonomisë, energjisë, turizmit, transportit dhe fusha të tjera dhe kërkoi zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve.