Dronët e Marinës iraniane shkatërrojnë me sukses objektivat e simuluara
Ndërsa stërvitjet Zulfiqar 1401 vazhdojnë në Iranin jugor, dronë të ndryshëm – përkatësisht Arash, Bavar dhe Ababil 5 – u ngritën nga bordi i destrojerit Sahand dhe qëlluan me sukses objektivat e simuluara në bregdet.
Në këtë operacion thuhet se janë përdorur dronë të ndryshëm luftarakë, zbulues dhe përgjues dhe më në fund ka qenë droni luftarak Ababil 5 ai që ka qëlluar dhe shkatërruar objektivat. Droni Ababil 5 i është bashkuar së fundmi Marinës iraniane dhe është përdorur për herë të parë në stërvitjet vjetore të Ushtrisë iraniane. Gjithashtu, pas një paralajmërimi nga forcat e mbrojtjes ajrore të Ushtrisë, avionët me pilot dhe pa pilot të forcave jashtërajonale, që kërkonin të mblidhnin të dhëna nga zona e stërvitjes, ndryshuan itinerarin e tyre dhe u larguan nga zona e manovrës. Gjatë fazës kryesore të stërvitjeve Zulfiqar 1401 të shtunën, forcat e Ushtrisë iraniane praktikuan edhe zbulimin dhe rrëzimin e një sërë objektivash ajrore me radarë të ndryshëm dhe sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore vendase. U përdorën sistemi raketor i mbrojtjes ajrore në lartësi të ulët Majid dhe sistemi i kontrollit të zjarrit të artilerisë Khatam, të cilët mundën të rrëzonin disa mjete ajrore pa pilot. Majid është një sistem raketor elektro-optik i mbrojtjes ajrore dhe thuhet se ka një rreze veprimi prej tetë kilometrash. Ai është i pajisur me një sistem optik termik me rreze të gjatë dhe është i lidhur me sistemin e kontrollit të zjarrit të artilerisë Khatam për të goditur objektivat e përcaktuara.