Eslami: Irani i përmbahet traktatit NPT
Kryetari i Agjencisë së Energjisë Atomike të Iranit në lidhje me disa lajme për uljen e detyrimeve atomike nga ana e Iranit, deklaroi se Republika Islamike e Iranit nuk ka detyrime të mbetura dhe i përmbahet Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore (NPT).
Agjencia e lajmeve Iran Press njoftoi se Muhamed Eslami, shefi i Agjencisë së Energjisë Atomike të Iranit, sot pas mbledhjes së Qeverisë së Iranit, në një prononcim për gazetarët, tha se Irani nuk ka asnjë detyrim të mbetur në fushën e energjisë atomike dhe deklaratat që bëhen në lidhje me këtë çështje, janë vetëm pjesë e propagandës dhe luftës psikologjike.
Muhamed Eslami tha se marrëveshja bërthamore ishte një marrëveshje mes dy palëve, njëra anë e së cilës është Republika Islamike e Iranit dhe pala tjetër janë shtetet e Grupit 4+1, duke shtuar se kur palët e tjera nuk i përmbushin detyrimet e tyre dhe nuk i anulojnë sanksionet, nuk ka arsyeja që Irani t'i përmbahet detyrimeve të tij dhe Irani vepron sipas ligjit strategjik.
Kreu i Agjencisë së Energjisë Atomike të Iranit theksoi se ligji i Iranit është brenda kornizës së masave mbrojtëse dhe nuk ka asgjë jashtë kësaj mbrojtjeje.
Lidhur me arritjet e reja të Agjencisë së Energjisë Atomike të Iranit me rastin e përvjetorit të Revolucionit Islamik të Iranit, Eslami tha gjithashtu se një linjë pilot për prodhimin e izotopeve të qëndrueshme, e cila është një nga rastet paralele dhe alternativa për prodhimin e radiomedikamenteve për trajtimin e kancerit, do të lansohet gjatë Dhjetëditëshit të Faxhrit.
Kreu i Agjencisë së Energjisë Atomike të Iranit gjithashtu në lidhje me vizitën e Rafael Grossi, drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, në Teheran, deklaroi se kjo vizitë ka nevojë për hartim dhe përmbajtje dhe duhet të përcaktohen qëllimet dhe plani i kësaj vizite.
Eslami vuri në dukje se drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike ka lajmëruar më parë se do të ketë një vizitë të tillë në Iran dhe kjo vizitë është lajmëruar pas takimit që ka pasur ai me ministrat e Këshillit të Evropës dhe në Parlamentin Evropian.