Irani arreston disa persona për helmimet misterioze
Zëvendësministri i Brendshëm i Iranit njoftoi se disa persona janë arrestuar në lidhje me helmimet e fundit të dyshuara të nxënëseve në disa qytete anembanë vendit.
"Bazuar në inteligjencën dhe masat kërkimore të organeve të inteligjencës së vendit, një numër njerëzish janë arrestuar në pesë provinca dhe organet përkatëse po kryejnë një hetim të plotë," tha të martën Maxhid Mir-Ahmadi, pa dhënë detaje të mëtejshme për të arrestuarit. “Sapo të merren rezultate të qarta, publiku do të njoftohet”, shtoi ai. Zëvendësministri i Brendshëm i Iranit theksoi më tej se pas helmimeve të fundit qëndrojnë ata që janë përfshirë në një luftë hibride kundër Iranit. Arrestimet janë të parat e shpallura nga Irani për helmimet që kanë trazuar vendin muajt e fundit. Helmimi i nxënëseve shkaktoi një valë zemërimi dhe kërkesa për veprim nga autoritetet. Në shumicën e rasteve nxënëset kanë vuajtur probleme në frymëmarrje, të përziera, lodhje dhe marramendje, ndërsa disa janë shtruar në spital.