Parlamenti Evropian është kthyer në një platformë për sulme ndaj Iranit
Ministria e Jashtme e Iranit ka kritikuar akuzat "e pabaza" të bëra nga ligjvënësit evropianë për helmimin e dyshuar të nxënësve në shkollat e vendit, duke thënë se Parlamenti Evropian është kthyer në një platformë për nxitje urrejtjeje kundër Iranit.
Në një deklaratë të premten, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Naser Kanani, ka reaguar ndaj "ngjarjeve të dyshimta" lidhur me helmimin e vajzave në disa shkolla në Iran. “Ndërsa Republika Islamike e Iranit po e ndjek seriozisht dhe në nivelin më të lartë çështjen dhe ekipet e ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë po bëjnë një hetim shkencor në terren, vendimi i Parlamentit Evropian për të nxjerrë një rezolutë dhe për të përsëritur akuza të pabaza kundër vendit tonë është befasues dhe për të ardhur keq”, tha Kanani. Është e turpshme që disa vende po përdorin veprimet e mercenarëve dhe agjentëve të këtij krimi si mjet për të njollosur imazhin e Iranit dhe për të zhvilluar një fushatë propagandistike kundër Republikës Islamike, tha ai. Kanani tha gjithashtu se vende të tilla po e përdorin këtë çështje si një "subjekt të ri" për të vazhduar armiqësitë e tyre të pafundme ndaj Iranit. “Për fat të keq, Parlamenti Evropian është kthyer në një platformë për këto figura të dyshimta dhe ekstremiste me qëllim të përhapjes së urrejtjes kundër popullit iranian dhe përhapjes së projektit iranofob”, tha Kanani. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit tha se zyrtarët më të lartë iranianë e kanë dënuar aktin çnjerëzor dhe kanë kërkuar një hetim të plotë mbi këtë çështje dhe dënimin më të ashpër të autorëve. Ai tha se Republika Islamike ishte e vendosur të "bëjë përpjekjet e saj maksimale për të hetuar ngjarjet, pavarësisht nga çdo presion dhe luftë psikologjike". Irani nuk do të kursejë asnjë përpjekje për të identifikuar autorët dhe orkestruesit e këtyre ngjarjeve kriminale dhe për t'i sjellë ata para drejtësisë, shtoi ai.