Mars 20, 2023 07:16 Europe/Tirane
  • Shamkhani: Bashkëpunimi strategjik Iran-Irak garanton sigurinë rajonale

Sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit deklaroi se bashkëpunimi strategjik midis Iranit dhe Irakut garanton sigurinë rajonale dhe përparimin në Azinë Perëndimore.

Duke folur të dielën në një takim me kryeministrin irakian Mohammed Shia al-Sudani në kryeqytetin Bagdad, Ali Shamkhani theksoi gjithashtu gatishmërinë e Republikës Islamike për të kontribuar në zhvillimin e sigurisë, stabilitetit dhe përparimit në Irak. “Një Irak i bashkuar, i integruar dhe i fuqishëm është shtylla e stabilitetit në rajon”, tha Shamkhani. “Pa dyshim, Iraku do të kapërcejë problemet politike dhe të sigurisë që i janë imponuar vendit gjatë viteve të fundit, dhe duke rimarrë rolin dhe funksionin e tij me ndikim në botën arabe dhe në botën islame, do të kthehet në pozicionin e tij historik si një lojtar i rëndësishëm në zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare”. Pas udhëtimeve të tij historike në Kinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Shamkhani mbërriti të dielën në Bagdad, ku nënshkroi një dokument të përbashkët bashkëpunimi për sigurinë me zyrtarët irakianë. “Me zbatimin e plotë të marrëveshjes së sigurisë ndërmjet Iranit dhe Irakut, marrëdhëniet do të shkojnë drejt zhvillimit të gjithanshëm”, tha ai. Zyrtari i lartë i sigurisë iraniane paralajmëroi se çdo tension dhe krizë në zonat e përbashkëta kufitare Iran-Irak do të prishë sigurinë dhe paqen e njerëzve dhe është një pengesë për zhvillimin e qyteteve kufitare. “Çdo element i brendshëm dhe i jashtëm që shkakton tension dhe kriza duhet të trajtohet me vendosmëri dhe rrënjët e tyre duhet të thahen,” pohoi ai. Shamkhani nënvizoi gjithashtu domosdoshmërinë e ndalimit të akteve të mbrapshta nga elementë dhe grupe të armatosura kundërrevolucionare si dhe kërcënimeve ushtarake dhe të spiunazhit të forcave amerikane në Irak, duke theksuar: “Nuk duhet të lejojmë që interesat e dy vendeve të bien viktimë e ligësisë së SHBA-së dhe mercenarëve të saj terroristë.”

 

Tags