Irani dhe Arabia Saudite do të rihapin ambasadat "në ditët në vijim"
Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian tha se Irani dhe Arabia Saudite do të rihapin ambasadat dhe konsullatat e tyre në ditët në vijim, pothuajse dy muaj pasi dy fuqitë e mëdha rajonale ranë dakord për normalizimin e marrëdhënieve të ndërprera shtatë vjet më parë.
“Gjatë bisedës së fundit telefonike mes ministrave të jashtëm të Iranit dhe Arabisë Saudite në Fitër Bajramin (21 Prill), ne ramë dakord që të hapim ambasadat dhe konsullatat tona në të dy vendet në ditët në vijim,” u tha të premten Amir-Abdollahian gazetarëve në Bejrut në fund të vizitës së tij zyrtare treditore në Liban. Ai tha se rifillimi i marrëdhënieve midis Iranit dhe Arabisë Saudite do të çonte në rezultate "pozitive" për vendet e rajonit, përfshirë Libanin, dhe do të hapte kapituj të rinj në lidhjet mes tyre. Ai vuri në dukje se para Fitër Bajramit, ai i bëri një ftesë zyrtare ministrit të Jashtëm saudit Faisal bin Farhan Al Saud për të vizituar Teheranin, e cila u pranua nga ai. Më tej, kryediplomati iranian tha se edhe homologu i tij saudit e ka ftuar për një vizitë zyrtare në Riad, duke shtuar se “koha e vizitave do të bëhet e ditur përmes kanaleve diplomatike”.